Meta: 21 qershori, mesazh përgjegjshmërie. Jo maskaradë shpifjesh

11/06/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke marrë fjalën në seancën parlamentare të së enjtes, ka deklaruar se klasa politike duhet të japë një mesazh përgjegjshmërie në zgjedhjet e 21 qershorit.

Nga foltorja e Kuvendit, Meta i ka bërë thirrje opozitës që të angazhohet për plotësimin e standardeve të zgjedhjeve dhe të heqë dorë nga ajo që ai e ka quajtur “baltosja e procesit”.

“Duhet të japim një mesazh përgjegjshmërie për këto gjedhje. Çështja e standardeve është e përbashkët dhe dëshira për baltosjen e zgjedhjeve nuk është në të mirën e askujt”, ka thënë Meta.

Ai është shprehur se, me veprimet e saj opozita po dekurajon mbështetësit që të dalin në zgjedhje dhe po lë në baltë kandidatët e saj.

Më tej, duke iu referuar akuzave për shit-blerje votash të bëra nga PD në drejtim të tij, Meta ka ftuar që provat e akumuluara t’i paraqiten drejtësisë.

“Të hetohen të gjitha akuzat apo provat për shitje votash. Duhet t’i japim fund njëherë e mirë maskaradave të shpifjeve”, ka thënë Meta.

Ai ka shtuar se, pas 21 qershorit do të fillojë zbatimi i një reforme madhore, duke iu referuar asaj administrativo-territoriale, e kundërshtuar nga demokratët.

Gjatë fjalës së tij kryetari i LSI ka prekur edhe rastin e dhunës ndaj deputetit Genti Strazimiri, duke thënë se, “e kam dënuar atë akt dhune nga dy deputetët dhe kam qenë kundër publikimit të imazheve”.

“Rregullorja e Kuvendit ka masa shumë të lehta për episode të tilla”, ka thënë Meta. 

Top Channel