Maturantë, por të stresuar dhe në ankth

11/06/2015 00:00

Kjo është periudha më e lodhshme dhe stresuese për maturantët. Edhe pse pas disa ditësh do të festojnë mbrëmjen e maturës, për momentin u duhet të përballen me provimet dhe rezultatet e tyre. Që të gjithë i kanë sytë nga fakulteti, që do t’u hapë dyert.

Gisian Dashi, maturant i shkollës “Petro Nini Luarasi”, na rrëfen për ngarkesën që ka pasur dhe që ka përgjatë këtij sezoni provimesh.

“Dita është shumë e ngarkuar. Pasi të konsumoj mëngjesin unë nisem për në shkollë, kemi konsultime të lëndëve përkatëse, të cilat normalisht zgjasin 2 orë. Pasi të kthehem në shtëpi, nis të studioj në mënyrë individuale”, thotë Gisiani.

Përkujdesi i mamasë në këtë periudhë është maksimal, më shumë se çdo herë tjetër.

“I jemi përkushtuar në maksimum gjatë këtij sezoni. Gjithashtu dhe me ushqimet kemi treguar kujdes. Duke nisur nga qumështi me mjaltë, veza, lëngu i portokallit, që ndihmojnë në përforcimin e kujtesës. Gjithashtu nuk ka munguar për drekë gjellërat me zarzavate, peshku, frutat, lëngu i karrotës etj.”, thotë e ëma.

Teksa Gisianin e gjejmë duke studiuar për dy lëndët me zgjedhje, të cilat janë në datën 19 qershor, ai pohon se gjatë gjithë kohës e shoqëron dëshira dhe ambicia për të marrë rezultate sa më të larta. Për të, stresi është i pashmangshëm.

“Çdo nxenës ka stres, sepse gjithsecili pret që të marrë një degë, e cila përcakton fatin tonë. Por në bashkëpunim më mësuesin dhe prindërit, ka qenë më e lëhtë”, thotë Gisiani.

Gisiani nuk lë pa përmendur dhe përjetimet e mbylljes së këtij cikli kaq të bukur.

“Nuk ka qenë diçka e lehtë, gjimnazi është pjesë e rëndësishme për gjithsecilin. Ndoshta nuk do të jetë e lehtë ndarja, por ne do i ruajmë përsëri kontaktet”, shprehet Gisiani.

Top Channel