Publikohen konkluzionet e samitit të Budvës; Serbia “pranon” shtetësinë e Kosovës?

11/06/2015 00:00

Konkluzionet e publikuara nga Presidenca e Malit të Zi pas samitit, kanë vërtetuar edhe njëherë se Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç është paradoksal, kur është në diskutim Pavarësia e Kosovës.

Por, duke qenë se në fund të samitit të presidentëve të rajonit, që u mbajt në Budva të Malit të Zi, ai pati debat të ashpër me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke thënë se Kosova nuk është shtet dhe duke hedhur akuza të tjera, në konkluzionet e përbashkëta të presidentëve duket se Nikoliç e ka pranuar shtetësinë e Kosovës.

Në konkluzionet e publikuara në faqen zyrtare të internetit të Presidentit malazez, Kosova përmendet gjithkund si shtet i barabartë me Serbinë dhe vendet e tjera, si dhe pa shënim ekstra të tipit “post script”.

Madje në konkluzione, Serbia ka pranuar detyrimet që ka në bisedimet me Kosovën.

E ndërsa në Serbi, ende vazhdojnë përpjekjet për ta trumpetuar deklaratën si fitore të Nikoliçit, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, iu rikthye të enjten kësaj çështjeje nga Prishtina, kur deklaroi se Presidenti i Serbisë duhet të kthjellohet dhe të pranojë publikisht realitetin e Kosovës.

“Ai duhet të kthjellohet me realitetin e ri të Kosovës, që tashmë është shtet i pavarur, sovran dhe i njohur nga 110 shtete të botës. Vetë prezenca ime në atë tavolinë, me të gjithë presidentët e tjerë të rajonit, duke përfshirë dhe Presidentin e Austrisë, është dëshmia më e mirë, që jemi të barabartë me të gjitha vendet e tjera”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Ndër të tjera, siç thuhet në konkluzionet e samitit, udhëheqësit rajonalë njohin rolin e rëndësishëm të Serbisë në stabilitetin e Ballkanit, si dhe mirëpresin faktin se negociatat e anëtarësimit janë duke vazhduar. Ata e kuptojnë se, progresi në përputhje me procesin e negociatave të anëtarësimit, përfshi zbatimin e plotë të marrëveshjeve të dialogut Prishtinë-Beograd, do të lejojë hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian, sa më shpejt të jetë e mundur.

Në dokumentin e konkluzioneve, udhëheqësit rajonalë kanë nënvizuar se Kosova duhet të vazhdojë të angazhohet në dialogun me Serbinë dhe se duhet të bëjë progres në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Të gjitha konkluzionet e samitit janë miratuar unanimisht nga të gjithë presidentët e rajonit.

Kjo nuk është hera e parë, që Presidenti serb, por edhe përfaqësues të tjerë nga Beogradi, ndryshe veprojnë nëpër dokumente zyrtare marrëveshjesh, kur është edhe Kosova, e ndryshe deklarojnë para medieve dhe qytetarëve serbë.

Mësohet se, Presidentja kosovare ishte paralajmëruar para samitit në Mal të Zi, se mund të provokohej nga Presidenti serb, pasi atij i ka rënë popullariteti në Serbi dhe përmes akuzave ndaj Kosovës po përpiqet të rrisë simpatinë e popullit serb.

Top Channel