Ndalimi i Kelmendit, AAK kërkon shkarkimin e Hysenit dhe Maxhunit

11/06/2015 00:00

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Skënder Hyseni, dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Shpend Maxhuni. Kjo, pasi të mërkurën, Policia e Kosovës shoqëroi në polici anëtarin e kryesisë së AAK-së, Muhamet Kelmendi, në cilësinë e dëshmitarit për një çështje, që është nën hetim.

Në një konferencë për mediet mbi këtë çështje, sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani tha se pushteti, me këto veprime po përpiqet ta njollosë opozitën.

“Nuk ka ndodhur kurrë, që ndonjë dëshmitar të arrestohet me armë në gjoks, e aq ma tepër, kur ai është zyrtar i partisë opozitare, apo Profesor Doktor. Kjo tregon vetëm për një tendencë të portretizimit të opozitës, si një organizatë e keqe dhe parti që ka njerëz të këqinj, duke arrestuar në të njëjtën kohë një akademik. AAK i kërkon qeverisë të shkarkojë ministrin e Brendshëm, sepse ai nuk është vetëm për të qëndruar në aeroplan, por edhe për ta udhëhequr politikisht Policinë e Shtetit”, tha Burim Ramadani, sekretar i Përgjithshëm i AAK-së.

Zyrtarisht, Policia dhe Prokuroria nuk kanë pranuar të flasin për të dhënë detaje rreth këtij rasti, me arsyetimin se mund të dëmtohen hetimet që po bëhen. Por, burime të afërta me procesin hetimor thonë se, anëtari i Kryesisë së AAK-së, në momentin e ndalimit nga policia ka qenë nën shoqërinë e personave, të cilët policia i ka pasur nën vëzhgim për një kohë të gjatë.

I ndodhur në një situatë të tillë, Kelmendi është shoqëruar në polici, bashkë me të tjerët, në cilësinë e dëshmitarit për personat, me të cilët ka qenë duke udhëtuar. Ai është liruar pas një kohe të shkurtër. Burimet konfirmojnë se, aktiviteti i një dite më parë është vazhdim i aktiviteteve të kontrollit policor, në shtëpitë e disa të dyshuarve pas incidentit në Kumanovë. Në AAK, ndërkaq, mohojnë të kenë informacione rreth çështjes në hetim.

“Nuk dimë asgjë për asnjë çështjë për të cilën bëhet fjalë, sepse Kelmendi është liruar pas 5 minutash”, tha më tej Burim Ramadani.

Edhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muhamet Kelmendi, ka kërkuar sqarime nga autoritetet e rendit. Nëpërmjet një letre publike, dërguar edhe ministrit të Brendshëm, drejtorit të Policisë dhe Inspektoriatit Policor, Kelmendi thotë se, me arrestimin e një dite më parë, policia ka dhënë shtysën, që të ngrihen shpifje kundër personalitetit të tij, duke kërkuar kështu një sqarim zyrtar për tërë ngjarjen.

Top Channel