Rama: Berati, drejt transformimit. Fushata e PD-së, përrallë nga e kaluara

11/06/2015 00:00

Entuziazmin dhe mikpritjen e qytetarëve të Beratit, kryeministri Edi Rama e vlerësoi si dëshminë e nisjes së transformimit dhe nxjerrjes nga harresa që ky qytet pagoi si kosto nën qeverisjen e djathtë, vetëm pse ishte një bastion i majtë.

“Kjo është pamja më e jashtëzakonshme e kësaj fushate të jashtëzakonshme. Ju jeni dëshmitar të transformimit që ka nisur në Berat. Shumë më tepër njerëz vijnë për të parë këtë mrekulli të trashëguar nga shekujt, të cilës ne do t’ja kthejmë të gjithë shkëlqimin, duke e kthyer në një burim mirëqenieje, në një burim punësimi, në një burim zhvillimi”, tha Rama.

Duke e quajtur Petrit Sinën një administrator të sprovuar, Rama u angazhua për ta kthyer Beratin në një model të zhvillimit ekonomik.

“Projektet që janë realizuar në këto 18 muaj janë vetëm fillimi. Siç shëndrrin sot ky shesh dhe pedonalja e Beratit, do të shëndrrijë pas 4 vitesh i gjithë qyteti. Pas këtij programi do të jetë e gjithë Aleanca për Shqipërinë Europiane”, tha kreu i mazhorancës.

Mënyrën e zgjedhur nga opozita në bërjen e kësaj fushate elektorale, Rama e quajti shqetësuese.

“Jam i shqetësuar për demokratët, për anëtarët dhe simpatizantët e një partie, e cila lindi si forca e madhe e shpresës dhe sot është në drejtim të paditur. Fushata e PD-së nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjen që do të bëjë populli shqiptar më 21 Qershor. Fushata e Partisë Demokratike tregon një përrallë nga e kaluara, të cilën shqiptarët e lanë pas në 23 Qershor të 2013-ës. Kjo është një tallje e madhe që shpreh një dëshpërim të madh. Dëshpërimin e të humburve që janë të vendosur në rrugën e humbjes dhe që shkojnë nga humbja në humbe pa e kuptuar”, tha Rama para qytetarëve të Beratit.

Top Channel