Investigimi i “Fiks Fare” që çoi në arrestimin e gjykatëses dhe avokatit

11/06/2015 00:00

Arrestimi në flagrancë i një gjykatëseje dhe një avokati në Lezhë ka gjetur pasqyrim në të gjitha edicionet e lajmeve të mediave vendase, por shumë pak mund ta dinë apo kujtojnë se, këto arrestime të së enjtes kanë ardhur pas një hetimi të prokurorisë, të nisur prej një investigimi të transmetuar në emisionin “Fiks Fare”.

Vetëm pak kohë më parë, një çift është paraqitur në “Fiks Fare”, pranë zyrave të Top Channel, dy prindër që kishin një proces të hapur gjyqësor me bashkëjetuesin e vajzës së tyre në Greqi. Ata na besuan dhe zgjodhën të ankoheshin në emisionin tonë investigativ, pasi nëpërmjet avokatit, gjyqtarja e çështjes u kishte kërkuar 200 mijë lekë. Avokati u kishte premtuar se mund ta zgjidhte çështjen e tyre, vetëm nëse ata pranonin të paguanin shumën në fjalë, të cilat nuk i donte për veten, por për gjyqtaren.

Ndaj dhe “Fiks Fare”, në emisionin e kësaj të enjteje ka treguar të gjithë kalvarin, nga fillimi e deri tek arrestimet.

“Kam marrë një telefonatë nga Gjykata e Lezhës për t’u paraqitur, pa ditur asgjë se për çfarë më kishin thirrur. Shkova dhe firmosa një letër, e më pas më thanë përse e shqetësoja vajzën, sepse sipas tyre ajo kishte një jetë të lumtur. Pasi u bë hera e tretë që shkoja atje, sepse ishin shtyrë edhe për mospasje të avokatit në rastet e tjera, avokatin na e vendosi gjykatësja. Në fakt kishim folur më parë që avokatit duhet t’i paguanim një shumë lekësh për gjobën e për t’ia dhënë gjyqtares. Diku rreth 200 mijë lekët. Gjyqtarja më tha se kisha dy mundësi, ose do të bëja dy muaj burg së bashku me djalin, ose do paguash gjobën”, tha në atë kohë denoncuesja për “Fiks Fare”.

“Gjykatësja e ka emrin Parashqevi Ademi, ndërsa avokati Gjovalin Ndokaj. Ky i fundit na ka thënë se nëse donim të shpëtonim pa bërë burg, duhet t’i jepnim një kafe asaj, që të mbyllim letrat dhe të mos bënim nga 3 muaj burg. E pyeta se në çfarë shume mund të shkonte kafja, ai shkoi e foli me gjyqtaren dhe na tha se kafja do të jepej në mënyrë që ne të merrnim dënimin më të lehtë të mundshëm, atë me kusht 18 muaj. Avokati na kërkoi 200 mijë lekë për gjyqtaren”, ishte shprehur atëherë denoncuesi.

Por, a ua merrte përsipër çështjen avokati, apo jo? Dhe nëse po, në ç’rrethana, në ç’kushte duhej të paguanin për të zgjidhur çështjen? Për këtë, kamera e fshehtë e “Fiks Fare” shkoi edhe te vetë avokati së bashku me dy denoncuesit.

Këshillat e avokat Gjovalin Ndokaj kanë qenë të qarta: në gjykatë, gjatë procesit gjyqësor të mos flisnin fare, përkundrazi të qëndronin urtë dhe vetëm të konfirmonin që ishin dakord me avokatin për çdo gjë, sepse fjalët e duhura do t’i gjente vet ai, e për këtë gjë kërkoi edhe betim për kokët e fëmijëve. Sipas tij, gjyqtares në seancë do t’i thuhej se ishte thjesht një gjendje psikologjike e rënduar e denoncuesve dhe të mos e merrte për keq. Rrëfimin e denoncuesve, avokatit ia kishte dhënë i vëllai dhe më pas edhe vetë ajo. Ndaj dhe gjyqtarja, duke qenë më e vjetër se denoncuesja dhe nënë fëmijësh, do ta merrte parasysh.

“Kemi rënë dakord tani, por ajo do 200 mijë lekë. Për mua, sa të duash vetë, ndërsa me prokurorin nuk ke punë, sepse i zgjidh vetë gjyqtarja punët me të”, u shpreh avokati. Sipas tij, gjyqtarja nuk i kishte dhënë garanci për zgjidhjen me dënim alternativ, sepse kishte frikën e prokurorit, por gjithsesi do ta bënte një përpjekje. Në rastin më të keq, dënimi me kusht ishte i garantuar. Kur erdhi puna te mënyra e pagesës, avokati i tha se duhej t’ia jepnin gjyqtares përmes atij, pasi ndryshe nuk kishte mundësi për ta takuar atë (merr lekët dhe i fut poshtë disa dokumenteve).

E pasi u ra gjithçka dakord, pikërisht ditën e mbajtjes së gjyqit, avokati takohet me palën paditëse dhe u thotë se kishte folur me gjykatësen për të mos e zgjatur me seanca të tjera gjyqin, por ta mbyllte pikërisht atë ditë, çështje disa orëshe për të dhënë konkluzionet. Por kur del nga seanca, rezulton që çështja nuk ishte mbyllur, e do të rikthehej të fliste për ta përfunduar në seancën e radhës. Por në këtë seancë të dytë ishte e garantuar 99.9% që do të dënohej me kusht, apo më saktë në liri por me një periudhë kufizimi prej 18 muajsh minimalisht pa kryer ndonjë vepër tjetër penale. Ndërsa për djalin i kishte kërkuar dënim me orë pune në interes publik.

Si përfundim, edhe pse kjo çështje ka përfunduar si një prej atyre rasteve të shumta të “blerjes” së drejtësisë, dita e enjte rezultoi fatale për avokatin dhe gjyqtaren, të cilat janë arrestuar në flagrancë, për shkak të mënyrës sesi kishin zgjedhur të zgjidhnin një çështje gjyqësore.

Top Channel