FMN braktis negociatat: Asnjë progres. BE, Tsiprasit: Mjaft luajte bixhoz me fatet e vendit

11/06/2015 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka hedhur ndoshta hapin më të rëndësishëm dhe më të vendosur ndonjëherë sa u përket bisedimeve për krizën e borxhit grek, këtë të enjte, teksa ka njoftuar se delegacioni i tyre është larguar nga negociatat në Bruksel për t’u rikthyer në “shtëpi”, për shkak të dallimeve tepër të thella me Athinën.

Lëvizja e fundit, disi surprizë, e FMN-së erdhi pasi Bashkimi Europian i bëri të ditur kryeministrit grek, Alexis Tsipras, të ndalte “lojërat e bixhozit” me të ardhmen e vendit të tij të goditur nga mungesa e likuiditetit, si dhe të merrte vendimet e duhura dhe të domosdoshme për të shmangur falimentin shkatërrues të saj.

Një burim nga qeveria greke tha për “Reuters” se i gjithë delegacioni grek, i cili ka qenë duke negociuar për arritjen e një marrëveshjeje “parà në këmbim të reformave”, është larguar gjithashtu për t’u kthyer në Athinë, duke cituar mosmarrëveshjet e vazhdueshme.

“Ka ende dallime madhore mes nesh në disa aspekte kyçe”, tha zëdhënësi i FMN-së, Gerry Rice, nga Uashingtoni, ku ka selitë Fondi Monetar. “Nuk ka pasur asnjë progres deri më tani për të sheshuar këto dallime, ndaj dhe jemi ende larg arritjes së një marrëveshjeje”.

Greqia ka nevojë për një marrëveshje për të zhbllokuar këstin e fundit të ndihmës së shpëtimit deri në fund të muajit, kur, në të kundërt, pritet të shpallet falimenti i vendit për shkak të 1,6 miliardë eurove ripagesa ndaj FMN-së.

Një faliment i mundshëm do të çonte drejt vendosjes së masave për kontrollin e kapitalit, si dhe do ta nxirrte Greqinë nga Eurozona, edhe pse pasojat janë ende të paparashikueshme, qoftë për tregjet financiare, ashtu dhe për ekonominë europiane.

Rice shtoi se ndër ngërçet kryesore janë pensionet, taksat dhe financimi. Ekipi i FMN-së i përbërë nga ekspertë teknikë është rikthyer në SHBA, por mbetet ende “i angazhuar tërësisht” me Athinën. Menjëherë pas këtyre komenteve, bursat europiane pësuan goditje, duke shënuar humbje.

Athina, gjithsesi, qëndron pas pohimeve të ditëve të fundit, duke thënë se ende nuk ka marrë fund gjithçka. “Delegacioni grek, siç është deklaruar, është gati të intensifikojë diskutimet për ta përmbyllur sa më shpejt marrëveshjen, qoftë edhe në ditët e ardhshme”, tha zëdhënësi Gabriel Sakellaridis.

Megjithatë, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, dha një mesazh të paprecedentë dhe të hapur ndaj qeverisë radikale dhe kundër masave shtrënguese të Greqisë, pas negociatave të pakonkluduara prej 4 muajsh tashmë.

“Nuk ka më kohë për të luajtur bixhoz. Dita e skadencës është duke afruar dhe kam frikë se dikush thotë që loja ka marrë fund tashmë”, tha ai në një konferencë për shtyp, pasi udhëhoqi samitin BE-Amerikë Latine, që u dominua nga bisedimet intensive me Tsiprasin, përtej axhendës kryesore. “Është mëse e qartë se duhet të ndërmarrin vendime dhe jo më të negociojmë”, tha Tusk, duke shtuar se Athina duhet të jetë “më realiste”.

Tsipras zhvilloi dy orë bisedime me Presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, por asnjëra palë nuk raportoi ndonjë avancim përpara. “Mirësevjen në dhomën e torturave”, iu drejtua Juncker kryeministrit Tsipras, në fillim të takimit. Zyrtarë të BE-së i përshkruan këto bisedime si “përpjekja e fundit” për të arritur një marrëveshje për borxhet.

Top Channel