Takimet përmbyllëse të Veliajt në Njësitë 3, 4 dhe 8: Të fitojmë për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur

11/06/2015 00:00

Me thirrjen për të dalë në votime më 21 Qershor dhe për të votuar drejtimin e duhur, Erion Veliaj u është drejtuar banorëve të Njësive 3, 4 dhe 8 në kryeqytet, në një takim përmbyllës elektoral në këto zona.

“Ftoni motrat, vëllezërit, komshinjtë, kushërinjtë, të gjithë qytetarët, të majtë e të djathtë në drejtimin e duhur. Asnjë njeri nuk duhet të rrijë në shtëpi më 21 Qershor. Kemi pritur katër vjet që të vijë dita që ta marrim mbrapsht Tiranën. Sa herë që e majta ka qeverisur Tiranën, Tirana ka shkuar në drejtimin e duhur. Është koha sërish që koalicioni i qytetarëve që e duan Tiranën zonjë, ta marrin dhe ta çojnë në drejtimin e duhur”, është shprehur kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës.

Veliaj nisi dhe numërimin mprapsht deri në ditën e zgjedhjeve, çka sipas tij, është dhe dita e fillimit të ndryshimit.

“Edhe 10 ditë që Tirana të ndryshojë, edhe dhjetë ditë që rrugët të pastrohen, edhe 10 ditë që rrugicat të ndriçohen, edhe dhjetë ditë që ta kthejmë bashkinë në punë”, deklaroi Veliaj.

Në fund, kandidati i mazhorancës u shpreh se Tirana do shkojë atje ku e meriton.

“Ta çojmë Tiranën aty ku e meriton, kryezonjën e Shqipërisë, Tiranën e gjithë shqiptarëve, në drejtimin e duhur”, tha Veliaj.

Top Channel