Lushnjë, arrestohet kreu i komunës Ballagat. Goditi në kokë një 62-vjeçar

12/06/2015 00:00

Policia e Lushnjës njoftoi arrestimin e kreut të komunës së Ballagatit, Shërbet Sharka.

Arrestimi Sharkës ka ardhur pasi kishte ushtruar dhunë ndaj një bashkëfshatari, i cili ka marrë plagë të rënda në kokë.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku shtetasi Ramiz Hasalla, 62 vjeç, ka shkuar të takohet me Sharkën për një problem që kishte me një kushëririn e tij, për çështje pronësie.

Por, ky takim nuk ka qenë i qetë, duke kaluar nga dhuna verbale në atë fizike. Raportohet se konflikti fizik ka ndodhur në derën e komunës.

“I shkova për të folur për tokën dhe më tha që nuk priste. Kur këmbëngula, më tha të ikja ta zgjidhja në vend tjetër problemin tim. Më gjuajti me grusht dhe rashë në bordurë. Aty nuk mbaj mend më. Ai ka marrë lekë prandaj nuk ma zgjidh problemin mua”, tha Hasalla.

Sipas të dëmtuarit, kreu i komunës ka penguar përdorimin e tokës që Hasalla pretendon se e ka tokë të trashëguar nga të parët e vet, duke i krijuar lehtësira kushëririt të Ramiz Hasallës.

Aktualisht, 62-vjeçari ndodhet në spitalin e Lushnjës me fraktura të rënda në kokë, por jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel