Dako: Do të zgjidhim çështjen e pronës dhe konfliktet mbi tokën bujqësore

12/06/2015 00:00

Kandidati i majtë për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako ka premtuar zgjidhjen e çështjes së pronës dhe konflikteve mbi tokën bujqësore. Ai është takuar me banorë të komunës së Rashbullit, Fermë Xhafzotaj dhe lagjen e mirditorëve në Shënavlash.

“Në qoftë se nuk kemi shtet të së drejtës, nëse nuk kemi drëjtësi për pronën private të gjithësecilit, nuk ka ka asnjëherë drejtësi për secilin nga ne. Pa zgjidhjen e problemeve të pronës, nuk afrohen as investitorët. Ne besojmë se këtë gjë e zgjidh shteti dhe jo të futen në grindje banorët me njëri-tjetrin. Inspektoriati i Arave do të krijohet mënjeherë nga administrata e re dhe do të japë zgjidhje për problemet, të cilat janë të vogla për ne, por shumë të rëndësishme për ju”, tha Dako.

Ai premtoi më shumë investime për këto zona, tashmë që do të jenë pjesë e bashkisë së madhe të Durrësit.

“Është e pafalshme që në fshatrat e komunës tuaj të mos jetë bërë asnjë investim në gjithë këto vite, që rrugët janë në këtë gjendje,” – është shprehur Dako, duke shtuar se “drejtuesit e këtyre komunave kanë vepruar si militantë dritëshkurtër, duke mos punuar për komunitetin. Ne nuk kemi këtë vizion, pasi që në fillim të vitit të ardhshëm nisim punën për ndërtimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës tuaj. Do realizojmë investime aq sa nuk janë bërë për 20 vite me rradhë në zonën tuaj . Do bëjmë trotuarë, do shtrojmë rrugët, dhe do mbyllim kanalet që në vitin e ardhshëm të mandatit, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të kësaj zone”, u shpreh Dako.

Top Channel