Incidentet në një mal të shenjtë në Malajzi, të rinjtë pranojnë fajin

12/06/2015 00:00

Një 23-vjeçare britanike, Eleanor Hawkins ka pranuar fajin se ka bërë “sjellje të pahijshme” gjatë vizitës së saj dhe të një grupi tjetër turistësh në një mal të shenjtë në Malajzi.

Hawkins bashkë me motrat me shtetësi kanadeze Danielle e Lindsey Petersen, dhe një mashkull tjetër holandez, janë paraqitur para Gjykatës, në një seancë që nuk ka zgjatur shumë.

23-vjeçarja konfirmoi se kishte qenë ajo që më 30 maj në orën 06:45 të mëngjesit në kohën lokale, kishte bërë “sjellje të pahijshme”. Sipas medieve ndërkombëtare, ajo ka qenë “shumë e shpejtë” në pranimin e fajësisë.

Të rinjtë u gjykuan se janë zhveshur, kanë bërë zhurmë dhe kanë urinuar në këtë zonë të shenjtë, dhe kjo ka ofenduar udhëheqësit fisnorë në malin e shenjtë të Kinabalu. Tani pritet që britanikja dhe tre shoqëruesit e saj të dëgjojnë për dënimin që do të vuajnë, që pritet të jetë tre muaj burg.

Siç bëhet e ditur, në këtë zonë ka varreza dhe anëtarët e fiseve kanë akuzuar perëndimorët se i kanë zemëruar zotët e tyre dhe janë bërë shkak për një tërmet që ra ditë më vonë në këtë zonë, duke lënë të vdekur 18 veta.

Policia lokale njofton se kanë qenë dhjetë persona të përfshirë në këtë incident, ndërsa gjashtë të tjerë ende janë në kërkim.

Top Channel