Mediu në Tiranë: Mos shisni votën, është vullneti juaj për të siguruar lirinë

12/06/2015 00:00

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është takuar me banorët e njësisë bashkiake nr. 9 në Tiranë, i shoqëruar dhe nga kandidati i djathtë Halim Kosova.

Mediu tha se askush nuk duhet të bëhet pre e shitjes së votës, pasi është pikërisht ky vullnet “që na siguron lirinë tonë dhe të ardhmen më të sigurtë”.

“Vota është fuqia jonë, vota është shpirti ynë, vota është dinjiteti ynë. Ne nuk mund të na mposhtë as presioni, as varfëria , ne duhet të na nxisë besimi për njëri-tjetrin, tek e ardhmja jonë e përbashkët. E them këtë me bindje se nese dikush do të shesë votën apo do të lejojë manipulimin, ka shitur dhe ka manipuluar shpirtin e tij, ka manipuluar të ardhmen e fëmijës së tij, prandaj këtë forcë të madhe që ne kemi, lirinë tonë, besimin tonë për të ardhmen tonë, ne duhet patjetër ta tregojmë më 21 qershor pavarësisht nga dallimeve politike”, tha Mediu.

Mediu ka kërkuar banorëve të votojnë Partinë Republikane dhe kandidatin e djathtë, Halim Kosova.

Top Channel