Kompetencat e reja të bashkive. Rama: Pushteti vendor, me fuqi

12/06/2015 00:00

“Ajo që kemi bërë deri tani nuk ka qenë decentralizim, por ka qenë copëtim”. Me këtë nënvizim, kryeministri Edi Rama ka nisur sqarimin e vizionit të qeverisë që drejton për kompetencat që duhet të menaxhojnë pas zgjedhjeve 61 kryetarët e rinj të bashkive në vend.

E këtë, shefi i qeverisë e ka nisur me atë që nuk duhet të bëhet më si në të shkuarën, kur solli si shembullin më tipik ujësjellësat: “Jemi një turp i gjallë në sy të atyre që na rrethojnë, sepse jemi një vend i pasur si askush rreth nesh me burime ujore dhe kemi problem madhor ujin e pijshëm, sikundër kemi problemin e madh që kur uji na bie nga qielli gjithmonë përmbytemi”.
 
Ujësjellësat, një pjesë e  mirë e të cilave të falimentuara, janë problematika më e madhe që do të trazhëgojnë kryebashkiakët e rinj. Ndërkohë, nga 1 janari i vitit 2016, kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre do të jenë shumë herë më të mëdha.

Personeli i koptshteve, kujdesit shëndetësor dhe emergjencave civile do të emërohen dhe do të jenë në varësi të pushtetit të ri vendor. Kryebashkiakët e rinj do të kenë gjithashtu përgjegjësinë e dhënies së titujve të pronësisë për tokën bujqësore. “Jemi në kushtet kur tokën bujqësore e kemi pa tituj pronësie, të mbushur me konflikte dhe askush s’përgjigjet”, deklaroi Rama.

Gjithashtu, do t’u jepet fund drejtorive rajonale të bujqësisë në formën ekzistuese: “Janë struktura komuniste pa kooperativa. Përfytyroni që struktura të jetë komuniste dhe kooperativa të mos jetë aty”.
 
Besimi kaq i madh që po i jepet pushtetit vendor do të shoqërohet nga kontroll më i rreptë i qeverisë ndaj të zgjedhurve të rinj të pushtetit vendor, që për kryeministrin nuk duhet të përsëritet më ajo që ndodhi me pyjet dhe kullotat nga krerët e komunave në ikje.

“Kryetarë komunash i kanë trajtuar pyjet e kullotat si pronë private. Kanë qenë në një delir që as gjurmët nuk janë përpjekur t’i fshehin, madje i kanë vënë gjurmët për të thënë se këtu jam unë, pylli është i imi”, tha Rama.

Ajo që qeveria pret nga reforma e re territoriale dhe ajo decentralizuese, përveç shërbimeve më të mira për qytetarët, është kontrolli mbi territorin. Nga decentralizimi duhet të kalohet në planifikimin e unifikuar urban.

“Ndërkohë që kemi bërë sikur kemi planifikuar dhe kemi shtuar hartat e pseudoplaneve rregulluese, komunat dhe bashkitë kanë vazhduar të japin leje për ndërtime në buzë të rrugës, duke shkelur një nen të Kodit Rrugor, që thotë 20m buzë rrugës kombëtare nuk ndërtohet. Dhe është fantastike që asnjë person nuk është dënuar për këtë”, tha Rama.

Në pritshmëritë e kryeministrit, reformat në pushtetin vendor do të krijojnë njësi të reja zhvillimore, që do të mund të gjenerojnë të ardhurat e tyre, ndërsa qeveria do t’i mbështesë dhe administrojë ndërlidhjen mes tyre.

Por, decentralizimi do të “bëjë kurban” shumë struktura aktuale, ndër to për shefin e qeverisë duhet të rishihet edhe prefektura. “Ne nuk jemi Franca e Napoleonit që të kemi prefektura, pavarësisht se kur i kemi bërë kemi qenë napoleonianë në qasje”, shtoi Rama.

Top Channel