Investimet në energjetikë, punime në ish-Kënetë për të ulur nivelin e humbjeve

12/06/2015 00:00

Durrësi është qyteti i dytë pas Tiranës, ku ka nisur puna për përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike, me një investim prej 800 milionë lekësh në zonat e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmonës.

Niveli i humbjeve në rrjet në këto zona është 45 për qind, ndërsa sipas OSHEE-së, kryerja e këtyre investimeve parashikon zbritjen e nivelit të humbjeve deri në 12%.

Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë: Këto investime po përqendrohen tek zonat që kanë pasur më shumë probleme me energjinë elektrike, tek zonat me humbjet më të mëdha dhe që meritojnë shërbim shumë më të mirë. Durrësi do të jetë një nga pikat që do të thithë investime, sepse i shërben zhvillimit ekonomik të kësaj zone, qytetarëve të kësaj zone, por edhe turizmit.

Adrian Çela, Administrator i OSHEE-së: Investimet parashikojnë 60 kabina të reja për t’u ndërtuar, zëvendësimin e rreth 50 kilometrave kabëll të tensionit të mesëm dhe rreth 30 kilometra kabëll tension i ulët ABC.

Projekti do të zgjasë deri në 6 muaj dhe do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji për më shumë se 10 mijë familjarë e biznese.

Top Channel