Deklaratat e Kotzias, Idrizi: Neonazizmi mbretëron në Parlamentin grek

12/06/2015 00:00

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi është takuar me banorët e njësisë nr. 5 në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij ai komentoi dhe deklaratat e ministrit të Jashtëm të Greqisë. “Neonazizmi mbretëron në Parlamentin grek, e jo në frymën europianiste që PDIU përçon”, tha Idrizi.

“Është qesharake të mendosh se ne mund të na kompleksoj dikush që vjen nga muzeumet e historisë. Asnjëherë dhe në asnjë rast, jo vetëm PDIU, por edhe ata që ne trashëgojmë me shumë krenari dhe dhimbje, por duke iu dal për Zot, nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e nazizmit apo e fashizmit. përkundrazi, ata që kanë bërë genocid mbi shqiptarët e Çamërisë, sot duan t’ia faturojnë këtë gjë viktimave. Partitë naziste dhe fashiste parlamenti grek i ka te Agimi i Artë, kurse PDIU bazohet në gjetjen e të drejtave të saj në të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Kjo është europianiste: të luftosh për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të luftosh për dinjitetin, të luftosh për humanizmin, të luftosh për drejtësinë që tashmë është një drejtësi e sanksionuar në të gjitha shtetet evropiane e demokratike. Unë dua t’i bëj thirrje kujtdo që te ne të shohin shqiptarët që dinë se çfarë bëjnë, e shohin shumë mirë të ardhmen e tyre si një të ardhme evropiane dhe që nuk kanë asnjë lidhje me nazistët e Agimit të Artë që ata i kanë në parlament, vazhdues të Napoleon Zervës, që kreu një nga masakrat më të tmerrshme ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, u shpreh z. Idrizi.

Kryetari i PDIU-së theksoi se këshilltarët e PDIU-së në Bashkinë e re të Tiranës do të punojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të kryeqytetit, duke marrë për bazë nga ato që PDIU ka rrëfyer në të kaluarën, nëpërmjet aksioneve politike të saj. Lista shumëemërore e Tiranës kryesohet nga Vjollca Braho dhe Arjan Çukaj.

Top Channel