Një ditë pas largimit të papritur të FMN-së nga tryeza e negociatave në Bruksel për Greqinë, për shkak të ndasive të mëdha në propozimet e të dy palëve, Athina përsëri shpreson se do të përfundojë një marrëveshje me kreditorët e saj në Samitin e ministrave të Financave të Eurozonës më 18 qershor.

Largimi i specialistëve të FMN-së është bërë pasi kryeministri Tsipras në takimin që ka pasur me kancelaren Merkel dhe Presidentin Hollande, ka refuzuar përsëri të pranojë disa prej reformave që kërkojnë huadhënësit, siç janë reduktimi me 15% i pensioneve që janë shkurtuar me gati 40% nga viti 2010, rritja e tatimit mbi vlerën e shtuar si dhe rritja e teprices primare për vitet ne vazhdim.

Duke ju përgjigjur paralajmërimit të ashpër të Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, që tha se “nuk ka më kohë për të luajtur bixhoz”, kreu i qeverise greke gjatë festës për rihapjen e televiziorit shtetëror ka thënë se qeveria nuk do të lejojë të shkelën të drejtat e popullit grek.

“Po luftojmë duke negociuar. Edhe për aq kohë sa grekët do të mbështesin përpjekjet e qeverisë, qeveria do të ruajë të pashkelura të drejtat e popullit grek në mënyrë që të sigurohet një marrëveshje e cila do të jetë një zgjidhje që do ruajë kohezionin social, do sjellë një vizion për zhvillimin ekonomik dhe në të njëjtën kohë do zgjidhë problemet financiare afatmesme të vendit”, është shprehur Tsipras.

Ministri i Mirëqenies Sociale ka përgenjështruar para disa orësh në televizionin shtetëror akuzat e FMN-së, se Greqia ka pensione gati sa të Gjermanisë dhe se subvencioni shtetëror për pensionet është 3.5 here më i lartë se mesatarja në BE.

Ai ka theksuar se qeveria Tsipras nuk do të pranojë reduktime të mëtejshme të cilat, jo vetëm që do varfërojnë më tej qytetarët, por edhe nuk do të sjellin asnjë zhvillim ekonomik.

“Topi është tashmë në fushën e grekëve”, ka deklaruar kreu i KE-së Jean Junker i cili në mesazhin që i çon qeverisë greke mëngjesin e së premtes, thekson se bisedimet politike nuk kanë më vlerë dhe kërkon vendime që të kenë një bazë ekonomike për të zgjidhur ngërçin sa më shpejt.

Në vorbullen e publikimeve të shtypit të huaj për çështjen greke veçohet artikulli i “Financial Times” që i kujton Athinës se koha po mbaron, ndërsa benzinë zjarrit i hedhë edhe e përditshmja gjermane “Bild”, sipas së cilës kancelarja Merkel, që ka luftuar muaj të tërë që Greqia të mos largohet nga Eurozona, tashmë ka kuptuar që mundi i saj është i kotë dhe ka vendosur të përgatitet për një largim të Greqisë nga zona e euros.

Top Channel