Pafajësia e Arben Frrokut, Prokuroria kërkon në Apel ndryshimin e vendimit

12/06/2015 00:00

Prokuroria ka kërkuar të premten në Gjykatën e Apelit ndryshimin e vendimit të Shkallës së Parë për Arben Frrokun, biznesmenin e akuzuar nga prokuroria si autor i vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamajt.

Prokuroria kërkoi në Apel dënimin e Arben Frrokut me burgim të përjetshëm për vrasjen e Dritan Lamajt dhe kërkoi gjithashtu marrjen e dëshmisë së Arben Ndokës për vrasjen.

Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda, në fillim të muajit prill, shpalli të pafajshëm Arben Frrokun. I mbajtur nën gjykim për 13 muaj për vrasje në rrethana cilësuese të shefit të policisë, gjykata pranoi vetëm një pretendim të Prokurorisë, që Frroku dhe Lamaj kishin patur konflikte me njëri-tjetrin për shkak të detyrës së këtij të fundit.

Prokuroria pretendon se gjykata nuk mori parasysh provat e paraqitura prej saj, ndaj vendosi të apelojë çështjen. Ajo do të vijojë “ta mbrojë” në Gjykatën e Apelit akuzën ndaj Arben Frrokut, me dëshmitarin e mbrojtur nga shteti, personin me emrin e ndryshuar Arben Ndoka.

Top Channel