Gazeta amerikane “New York Times”, përmes një shkrimi për Maqedoninë ka shkruar se ky vend gjendet në një udhëkryq dhe përballet me shumë probleme.

“Maqedonia po qëndron anash në dhomën e pritjes për në Europë, e izoluar për shkak të problemit të emrit, e kërcënuar nga një konflikt etnik dhe e demoralizuar nga ekonomia e dobët, që e bën këtë vend me shkallë më të lartë të papunësisë në Europë. Mbi 300 mijë qytetarë kanë braktisur këtë vend gjatë pesë viteve të fundit”, thuhet në tekstin me titull “Maqedonia në udhëkryq”.
 
“Derisa ky vend po aktron reforma dhe po gënjen Brukselin me procesin e integrimeve, ky regjim po vazhdon me stilin ballkanik të një ‘demokracie funksionale’. Punësimi në qeveri është i kushtëzuar me votimin e partisë në pushtet, ndërsa njëri nga televizionet më kritik ndaj partisë në pushtet është mbyllur”,  thekson editoriali i kësaj gazete amerikane.
 
Në vazhdim theksohet se, qeveria e mahnitur nga imazhi i saj i krijuar si viktimë e komploteve të huaja, ka krijuar në thelb një retorikë agresive nacionaliste ndaj fqinjëve të saj.

Në tekstin e saj, gazeta “New York Times” pohon se shpërthimi i aferës së përgjimeve nga lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, ka zbardhur një nga skandalet më të mëdha në këtë vend, ku pushteti ka ndjekur dhe regjistruar 670 mijë regjistrime telefonike të paligjshme, të telefonave të politikanëve të opozitës, ministrave, krerëve të tjerë shtetëror, gazetarëve, sektorit joqeveritar, klerikëve, etj. 
 
Lidhur me ngjarjen e Kumanovës gazeta shkruan se në maj, grupe të armatosura të shqiptarëve dhe forcat maqedonase të sigurisë, u përleshën në afërsi të qytetit me ç`rast humbën jetën 22 veta, ndërsa u rikthye frika nga dhuna ndëretnike.

Top Channel