Pavarësisht lajmeve që qarkullonin në disa prej mediave botërore në lidhje me konfirmimin nga Kancelarja Merkel për një bindje të fortë të daljes së Greqisë nga Eurozona, Berlini zyrtar qetëson duke mohuar gjithçka.

Ne fakt, çdo gjë nisi nga një editorial i gjermanes “Bild”, në të cilin citohej Kancelarja të thoshte se dalja e Greqisë nga Eurozona është e pashmangshme. “Kancelarja shprehet se çdo gjë është e kotë tanimë”, shkruante e përditshmja.

Pas takimit mes lideres gjermane, Presidentit francez dhe kryeministrit grek Aleksis Tsipras, të gjithë dolën në përfundimin se falimenti është i paevitueshëm. Por, nëpërmjet një konference për shtyp, vetë Kancelarja i hodhi poshtë këto zëra duke thënë se “bisedimet vazhdojnë”.

Në të vërtetë, në lidhje me bisedimet me Athinen zyrtare, kancelarja gjithnjë është shprehur qartë se aty ku ka vullnet, duhet të ekzistojë patjetër edhe një rrugëzgjidhje. Por, vullneti duhet të jetë i dukshëm tek të gjitha palët. “Është e udhës që të flitet e që të sqarohemi me njeri-tjetrin”, ka shtuar kancelarja, duke dhënë kështu shpresat e një zgjidhjeje që gjithsesi komentohet si e vështirë për t’u arritur në ditët në vijim prej shumë syresh.

Edhe zëra brenda qeverisë gjermane gjithashtu pohojnë të njëjtin vullnet e dëshirë për të vazhduar përpara. “Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Do mundohemi të japim maksimumin në mënyrë që Greqia të vazhdojë të jetë pjesë e grupit europian. Askush nuk mund të na akuzojë që nuk po punojmë për më të mirën e mundshme”, mësohet të ketë thënë zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert, duke i dhënë përgjigje edhe spekulimeve të cituara nga e përditshmja “Bild”.

Gjithashtu, edhe kryeministri grek duket se pohon të njëjtën gjë. Në një intervistë të shfaqur në televizionin kombetar grek “ERT”, me rastin e rihapjes së tij pas dy vitesh, Aleksis Tsipras ka pohuar për gazetarët se “për sa kohë populli grek do të mbështesë përpjekjet e qeverise së tij, qeveria nga ana tjetër do të çojë përpara pritshmëritë dhe kërkesat e popullit”.

Të tilla “provokime” vijnë në një kohë kur edhe takimi i pales greke me zyrtarë të FMN-së nga Uashingtoni nuk duket se po japin shpresë, pasi duket që janë të prirur mos të lëshojnë pe pa parë reforma të thella përsa i përket taksave e pensioneve.

Pas takimit, në një prononcim për mediat, zëdhënësi i FMN-së, Gerry Rice u tha gazetarëve se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk dëshiron të largohet pa një marrëveshje, por topi tani është në fushën e grekëve dhe u takon atyre të bëjnë lëvizjen e radhës.

Top Channel