Baku 2015, Shqipëria dhe Kosova kërkojnë medalje

12/06/2015 00:00

Nga data 12 deri më 20 qershor në Baku të Azerbajxhanit do të mbahen Lojërat e para Europiane, ku mbi 6 mijë sportistë do të garojnë në 20 disiplina të ndryshme. Mbi 22 arena janë ndërtuar dhe një fshat i tërë për të mirëpritur gjithë sportistët.

Shqiptarët presin me të drejtë që të ngjiten në podium dhe të marrin medalje. Shqipëria do të garojë me 28 sportistë, ndërsa Kosova me 18, ndërsa të gjithë shqiptarët do të kenë mundësi që të ndjekin përfaqësuesit e tyre përmes platformës Supersport.

Shpresat më të mëdha për të rrëmbyer medalje, bien mbi Egzon Shalën dhe Luiza Gegën. Shala, që mbështetet nga Digitalb, garon në sportin e mundjes, stil i lirë, dhe gara e tij e parë do jetë më 18 qershor. Ndërkohë, që edhe vëllai i tij Edoni, që garon në të njëjtën sport, do të jetë pjesë e këtyra lojërave, por do të mbrojë ngjyrat e Kosovës. 

Ndërkohë, më datë 21 dhe 22 qershor, Luiza Gega do të garojë në tre disiplina, në garën 800m për femra, 1500m dhe stafetën 4×400. Me interes pritet edhe përfaqësimi i çiklistit Eugert Zhupa, që u bë shqiptari i parë që mori pjesë në “Giro D’Italia”, i cili do garojë më 18 dhe 21 qershor.

Baku 2015 do të jetë edhe përfaqësimi i parë i madh për shtetin e Kosovës. 18 sportistë në 9 disiplina të ndryshme do të tentojnë të shkruajnë historinë.

Humbja e madhe është Mjalinda Kelmendi, që nuk do të marrë pjesë për shkak të një dëmtimi, ndërkohë shpresat e mëdha për një medalje, varen mbi xhudisten Nora Gjakova.

Top Channel