Emigrimi i kosovarëve, në 2014-n mbi 15 mijë banorë më pak se në 2013-n

12/06/2015 00:00

Raporti i fundit, i publikuar këtë të premte nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka konfirmuar se shifrat e larta të emigracionit gjatë vitit të kaluar kanë ndikuar edhe në demografinë e popullsisë, pavarësisht rritjes së lidhshmërisë.

Gjatë vitit 2014, sipas raportit të Agjencisë së Statistikave, 45 mijë e 333 banorë janë larguar nga Kosova, derisa numri i personave, që kanë ardhur në Kosovë, ishte 5 mijë e 720 banorë. Bilanci i emigrimit për vitin 2014 ishte negativ, me 39 mijë e 613 persona të larguar.

“Përkundër një shtimi natyror prej 23 mijë e 922 banorësh, popullsia rezidente e Kosovës është zvogëluar me 15 mijë e 687 banorë, për shkak të emigrimit të theksuar në vitin 2014”, thuhet në raport.

Popullsia rezidente e Kosovës, në fund të vitit 2014 vlerësohet të ketë qenë 1 milion e 804 mijë e 944 banorë, krahasuar me vlerësimin e vitit 2013, që ishte 1 milion e 820 mijë e 631 banorë.

Numri i lindjeve për vitin 2014 ishte 32 mijë e 87, kurse numri i vdekjeve ishte 8 mijë e 165. Në këtë publikim janë përfshirë edhe lëvizjet e brendshme të popullsisë, nga një komunë në tjetrën, ku numri i përgjithshëm është 9 mijë e 466 banorë.    

Baza e të dhënave për të vlerësuar numrin e popullsisë për vitin 2014 është marrë nga numri i vlerësuar i popullsisë rezidente në Kosovë, në fund të vitit 2013, “lindshmëria, vdekshmëria dhe lëvizjet e popullsisë së Kosovës për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2014”.

Agjencia e Statistikave të Kosovës bën çdo vit vlerësimin e popullsisë në vend, me qëllim që të sigurojë serinë kohore të treguesve demografikë mbi ndryshimet në nivel territorial.

Top Channel