16 vite nga Çlirimi i Kosovës; kujtohen gratë e dhunuara nga forcat serbe

12/06/2015 00:00

Në ditën e 16-vjetorit të Çlirimit të Kosovës u kujtuan gratë shqiptare, të përdhunuara nga forcat paraushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë.

Nën organizimin e Presidentes Atifete Jahjaga, me moton “Mendoj për ty”, në stadiumin e Prishtinës u prezantua një instalacion artistik me mbi 5 mijë fustane, të dhuruara nga vajzat dhe gratë shqiptare në Kosovë, jashtë saj dhe nga personalitete të huaja.

Nga mijëra fustane të dhuruara për këtë ide, të artistes Alketa Xhafa, kishte edhe fustane të dhuruara nga gra të dhunuara seksualisht gjatë luftës, të cilat po ashtu kishin vendosur mbishkrime.

“Ne gjetëm mbështetjen përtej kufijve, në Tiranë, në Nju Jork, në Londër. E gjetëm përkrahjen te Vlora, që dhuroi fustanin, të cilin e kishte veshur kur nënshkroi deklaratën e Pavarësisë; te Rifat Jashari, që na tha se faji nuk ka qenë i tyre. Por, dy funde të varura këtu, me mbishkrime personale, më kanë prekur më shumë se kurrë. ‘E kam një përjetim të hidhur’, ishte shkruar në njërin. ‘Ky fund ka një histori të mbyllur nga pranvera e vitit 1998’, shkruante në tjetrin”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Përfaqësuesja më e lartë e vendit tha se, turpi nuk rëndon mbi gratë e dhunuara, por mbi ata që kryen këto krime mizore, sepse – siç tha Jahjaga, – paqja jonë kurrë nuk do të jetë e plotë, pa paqen e tyre.

Jahjaga, bashkë me autoren e instalacionit dhe të pranishmit, ecën përgjatë stadiumit për të parë fustanet e varura në kujtim të grave të dhunuara gjatë luftës.

Autorja e instalacionit tha se, me fustanet e dhuruara do të bëjë një skulpturë, e cila do të vendoset në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

“Frymëzimi ka ardhur tri vite më parë. Kam qenë këtu në Prishtinë dhe kam dëgjuar në lajme apo në një emision, ku të mbijetuarat flisnin e tregonin se zëri i tyre nuk është u dëgjua aspak. Nuk kanë përkrahje as institucionale, as shoqërore e as familjare. Për mua është shumë çudi, sesi pas 13 viteve, ende duhet të ekzistojnë pyetje të tilla, jo fakti çfarë kanë hequr në luftë, por fakti që ende janë duke u parë prej shoqërisë me një sy të keq, apo ende nuk gëzojnë asnjë status”, tha Alketa Xhafa, artiste.

Në nderim të sakrificës së grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë, të premten para Pallatit të Rinisë në Prishtinë, është përuruar gjithashtu një memorial me mbishkrimin “Heroinat”, ku morën pjesë Presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe deputetë e zyrtarë të tjerë institucionalë.

FOTO GALERI
1/16
Mendoj për ty, instalacioni me 5000 fustane në nderim të grave të dhunuara gjatë luftës

Top Channel