“Dita e Paqes”; Kuvendi, me seancë solemne në përkujtim të Çlirimit nga serbët

12/06/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës nisi seancën solmene për nder të ditës së Çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, me vetëm një pikë në rendin e ditës, koncertin festiv të Filarmonisë së Kosovës në sallën e Kuvendit.

Himni shtetëror ishte pjesa e parë muzikore e ekzekutuar nga muzikantët kosovarë, për të vijuar me vepra të tjera të kompozitorëve vendas e të huaj, përfshi edhe veprën për luftën në Kosovë të kompozitorit britanik, Karl Jenkins, dhe Skënderbeun e Çesk Zadesë.

Në këtë seancë nuk ishte e parashikuar të mbaheshin fjalime politike të deputetëve, me përjashtim të fjalës përshëndetëse të kryeparlamentarit Kadri Veseli. Pa ndonjë detyrim ishin edhe anëtarët e kabinetit qeveritar, të kryesuar nga kryeministri Mustafa, të cilët u ulën në vendet e deputetëve.

“12 Qershori është ditë sublime për popullin e Kosovës dhe për këtë vlerë sublime, më së miri flet arti”, tha  Veseli gjatë fjalimit të shkurtër.

Tri subjektet opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, e bojkotuan tërësisht seancën. Në një konferencë për mediet, përfaqësues të këtyre tri subjekteve kritikuan kryetarin e Kuvendit se, nuk ua ka dhënë fjalën për të folur për situatën në Kosovë, duke u përpjekur të paraqesë një realitet ndryshe, nga ai të cilin përjetojnë qytetarët.

Ftesës së Kuvendit për të marrë pjesë në këtë seancë nuk iu përgjigjën pozitivisht as shumë personalitete të tjera të shoqërisë civile.

Deputetët dhe ministrat e “Listës Serbe”, edhe pse nuk marrin pjesë në të tilla ngjarje, në këtë seancë janë parë 3 prej tyre, të cilëve u është dashur të ngrihen në këmbë tek intonimi i himnit të Kosovës.

12 Qershori në Kosovë shënon përvjetorin e 16 të hyrjes së forcave tokësore të KFOR-it dhe largimit të ushtrisë e policisë serbe. Në kalendarin e festave zyrtare njihet si “Dita e Paqes”, në mesin e ditëve përkujtimore.

Top Channel