Kosovë, aktakuzë ndaj 10 ish-zyrtarëve të Prishtinës. Ahmeti: Ky, fillimi i një gjyqësori tjetër

12/06/2015 00:00

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur këtë të premte aktakuzë kundër ish-shefit të sektorit për ndërtimet, Ismet Haliti, një ish-zyrtari të Përmbarimit dhe disa ish-inspektorëve për ndërtimet, në sektorin e Inspektoriatit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës.

Mësohet se, ndaj Skënder Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerim Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj janë ngritur akuza për veprat penale “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa kundër Qemajl Pozhegut, pronar i një kompanie ndërtimi, është ngritur akuzë për “falsifikim dokumentesh”. Ata janë arrestuar vitin e kaluar dhe disa ndodhen në burg, ndërsa të tjerë po ndiqen në liri me kusht.

Sipas aktakuzës, 10 të pandehurit, duke vepruar si grup kriminal kanë shfrytëzuar postet për kryerjen e veprave penale, gjatë periudhës  janar 2010 – mars 2014; nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit për vete dhe për të tjerët; ashtu sikurse nuk kanë parandaluar dhe nuk kanë ndërprerë ndërtimet e jashtëligjshme. Gjithashtu, ata nuk kanë ekzekutuar as vendimet për rrënimin e objekteve, që ndërtoheshin në mënyrë të paligjshme në Komunën e Prishtinës.

Ndërkaq, pronarin e një kompanie private, aktakuza e ngarkon për falsifikimin e dokumentit, në bazë të të cilit ka ndërtuar një objekt banimi kolektiv, pa leje ndërtimi.

Të gjithë të pandehurit, si zyrtarë të Komunës së Prishtinës, së bashku u kanë mundësuar investitorëve që të ndërtojnë pallate, në kundërshtim me ligjin për ndërtimet, duke iu siguruar atyre dobi të mëdha materiale dhe nga shitja e banesave e lokaleve, përfitime financiare që shkojnë në shumën e përgjithshme prej rreth 28 milionë e 500 mijë eurosh. Të pandehurve u janë sekuestruar automjete dhe apartamente.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka filluar me grumbullimin e informacioneve të rëndësishme nga fusha e ndërtimit në shtator të vitit 2013, ndërsa ka marrë aktvendimin për fillim të hetimit për këtë çështje në prill të vitit 2014.

Ndërkohë, ka ardhur edhe një reagim i kryetarit aktual të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku ai shkruan:

“Më në fund! Pas hetimeve për 49 dosjet e para të dërguara, Prokuroria ngriti aktakuzë, ku thotë se përfitimet e 10 zyrtarëve kanë qenë 28 milionë euro. Ku kanë shkuar ato parà? Kush i ka marrë ato prona? Këto janë vetëm për 49 ndërtesa, ndërsa në Prishtinë janë 46 mijë ndërtime pa leje.

Besoj, të nderuar bashkëqytetarë, që po i kuptoni përmasat e krimit në Prishtinë. Po i kuptoni përmasat e interesave, që ende luftojnë ta sulmojnë urbanistikën, edhe pas këtyre 18 muajve. Këtë nuk e kemi bërë për inat të partive të tjera, apo për inat të ndonjë individi, por për të luftuar korrupsionin, që ka ngrënë shtetin tonë.

Sigurisht, do të jetë proces i gjatë, por uroj që ky të jetë fillimi i një gjyqësori tjetër. E di që kemi folur shumë për këto dosje, e jemi interpretuar se po ndërhyjmë, por pa hetime të tilla, të korruptuarit nuk do të frikësohen kurrë”, është shprehur Shpend Ahmeti, pasues i Isa Mustafës në krye të Prishtinës.

Top Channel