Kosova, me banorët e njësisë 10: Investime në infrastrukturë

12/06/2015 00:00

Doktor Halim Kosova, duke shpjeguar programin e tij për njësinë 10 në kryeqytet, premtoi investime në pjesën më të madhe të rrugëve.

Sipas tij, duhet të ndërhyhet në këto rrugë: “Kajo Karafili”, “Ibrahim Tukiqi”, sheshet e pallateve në Rrugën e Durrësit, degëzimi i rrugës “Mihal Duri”, rruga “Kont Uran” me trotuarët e saj. Projekti parashikon ndërhyrjen në paketën e shtresave rrugore me gjatësi 500 metra linearë në këtë pjesë të lagjes tuaj, ndërtimin e trotuareve me rreth 1500 metra katrorë, për të cilat ka nevojë lagjja juaj, ndërtimin e rrjeteve inxhinierike, 500 metra kanalizim të ujërave të shiut dhe 300 metra për ujërat e zeza, si edhe ka nevojë për 600 metra kanale ujësjellësi.

“Gjithashtu, duhet përmirësimi i infrastrukturës së arsimit parashkollor dhe parauniversitar, shkollat 9-vjeçare ‘Dora D’Istria’, ‘Avni Rustemi’, ‘Konferenca e Pezës’, ‘Kostandin Kristoforidhi’. Rikonstruksioni i 62 klasave, shtimi i 20 klasave të reja, 2 laboratorë, rikonstruksioni i 2 palestrave, 3 terrene sportive dhe instalimi i sistemit të ngrohjes për 4 objekte të tjera”, deklaroi Kosova.

Doktor Kosova u shpreh se do të ndihmojë të gjitha shtresat në nevojë.

“I takoj dhe gati sa nuk i dalin lotë nga sytë kur shtëpia, prona e vetme që ata kanë, është gjysmë e rrënuar, me qerpiç dhe ata janë të detyruar ta lënë këtë pronë të trashëguar brez pas brezi dhe të marrin shtëpi me qira, sepse lagjes së tyre politika i ka vënë një emër, lagje muze. Veçse sebepi i muzeut nuk ekziston fare aty. Ky më është dukur një paradoks. Sigurisht që do t’i jap zgjidhjen e duhur me ekspertët më të mirë përbri, duke pasur parasysh interesin qytetar, interesin e pronarit dhe duke mos pasur pranë meje asnjë firmë ndërtimi të favorizuar nga unë, në mënyrë që interesi i qytetit të Tiranës të zbatohet dhe të vijmë afër qytetarit në më të mirën e mundur”, tha Kosova.

Kandidati i së djathtës për Bashkinë e Tiranës dha mesazhin e tij se do të mbështesë të gjithë banorët.

“Unë mendoj komplet ndryshe. Mendoj që Tirana nuk ka nevojë as për një individ dhe as për një parti. Tirana ka nevojë për një gjë shumë të thjeshtë dhe që i ka munguar vazhdimisht; të ketë në krye një njeri, i cili bashkinë do ta lërë në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe nuk ka rrugë tjetër që një njeri të rrijë pranë meje në drejtim të Bashkisë të Tiranës, përveçse sipas meritës dhe sipas takatit që do ketë për ta ndjekur ritmin tim dhe sipas asaj që çfarë shërbimi, me sektorin që ai do të mbulojë do t’u ofrojë banorëve të Tiranës për çdo lloj nevoje që ata do të kenë. Unë kam kandiduar dhe me shumë dëshirë e kam marrë këtë pozicion të kandidimit dhe me 21 Qershor, të detyrës së Kryetarit të Tiranës me votën tuaj, sepse jam i bindur më shumë se kurrë se në këtë qytet, ata që besojnë se ndershmëria përbën thelbin e suksesit tashmë, janë shumica e banorëve”, shtoi Kosova.

Top Channel