Të shtunën, protesta antiqeveritare e lëvizjes BESA në Maqedoni

12/06/2015 00:00

Në protestën e ditës së shtunë, lëvizja politike BESA, e përkrahur nga dhjetëra organizata joqeveritare, do të kërkojë dorëheqjen e qeverisë së Shkupit, për shkak të politikave antishqiptare.

Organizatorët e protestës do të bëjnë thirrje për një marrëveshje të re politike, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, për ta konsideruar Maqedoninë si një shtet i përbashkët konsensual, si dhe do të kërkojnë zbardhjen e plotë të rasteve të montuara gjyqësore kundër shqiptarëve.

“Kjo protestë është shqiptare, sepse kriza nëpër të cilën po kalon ky shtet nuk e ka dëgjuar zërin shqiptar, nuk e ka dëgjuar mendimin e shqiptarëve. Sipas nesh, shqiptarët janë të hapur të diskutojnë edhe për shtet social, edhe për shtet të paanshëm etnik, por para së gjithash duhet të merremi vesh t’i përmbyllim çështjet ndëretnike. Për sa kohë ne si shqiptarë diskriminohemi, nuk mund të veprojmë si qytetarë”, tha Ferdeze Sulejmani, nga Lëvizja BESA.

Në protestën e ditës së shtunë priten të marrin pjesë edhe familjarët e shqiptarëve të dënuar në rastet “Monstra”, “Sopoti” dhe “Brodeci”.

Organizatorët kanë ftuar shqiptarët t’i bashkohen marshit, për të shprehur fuqimisht kërkesat e tyre dhe revoltën ndaj politikave diskriminuese të qeverisë. Gjatë marshimit, demonstruesit pritet të mbajnë parulla antiqeveritare dhe flamuj kombëtare, kurse simbole partiake nuk do të ketë.

Top Channel