Lëvizja Vetëvendosje shënon 10-vjetorin e themelimit

12/06/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar këtë të premte 10-vjetorin e themelimit të saj, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Më 12 qershor 2005, dy ditë pas rifuqizimit të 5-të radhazi të Rezolutës 1244, u shkrua parulla “Jo negociata, Vetëvendosje” në murin që rrethonte selinë e UNMIK-ut, duke shënuar kështu fillimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, duke folur për qeverisjen e UNMIK-ut deri në vitin 2005, tha se me këtë parullë nisi lëvizja, si një domosdoshmëri për rezistencë.

“Kjo parullë ishte si kritika, por edhe zgjidhja. Ishte mohimi krijues, teoria dhe praktika. Ajo kërkonte një Kosovë ku të vendoste populli i Kosovës, vendim popullor ky, që njëkohësisht do të ishte baza e demokracisë, por edhe pikënisja e barazisë. Jo negociata, sepse kontekstualisht ato ishin thelbi i padrejtësisë; por Vetëvendosje, sepse universalisht ky është thelbi i drejtësisë dhe barazisë. Të dyja këto, që na mohoheshin neve dhe mohoheshin për ne. Lëvizja nisi si domosdoshmëri për rezistencë”, tha Visar Ymeri, kryetar i LVV.

Gjatë këtyre viteve, ashtu si në programin e saj, kësaj lëvizjeje nuk i ka munguar kontributi nga Shqipëria, me pjesëmarrjen e aktivistëve të shumtë. Aktivistja nga Tirana, Dejona Mihali, në fjalën e saj para të pranishmëve, tha se Kosovën e shquan si paraqitje të rezistencës.

“Përfitimi i së tashmes në pasluftën e Kosovës është gjendja politike, që nuk reduktohet në kontabilitetin e së drejtës si shtjellim i paqes, por që entuziazmohet në rentabilitetin e rezistencës. Për dallim prej njohjes, pra si universal, unë Kosovën e kam shquar si paraqitje të këtij shtjellimi, pra rezistencës”, tha Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve, LVV.

Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe ish-kryetari, Albin Kurti, themelues e aktivistë të Vetëvendosjes e qytetarë të shumtë, para të cilëve u shfaq edhe një film dokumentar për rrugëtimin e kësaj lëvizjeje në dekadën e parë të saj.

Ndërkohë, gjatë ditës, përmes një ekspozite me fotografi janë paraqitur aktivitetet e aksionet politike të realizuara përgjatë 10 viteve nga Lëvizja Vetëvendosje.

FOTO GALERI
1/3
Vetëvendosja shënon 10-vjetorin e themelimit

Top Channel