Nishani në Gjermani, “peng” mbledhja e KLD-së për gjyqtaren e Lezhës

12/06/2015 00:00

Mbajtja e përkohshme e pozicionit të nënkryetarit të KLD-së nga presidenti ishte një nga pikat më të nxehta të evidentuara në ekspertizën e raportit analizues për sistemin e drejtësisë pak ditë më parë.

Por megjithëse është shtruar si problem prej muajsh, mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë vijojnë të diktohen nga axhenda e kreut të këtij institucioni, presidentit Bujar Nishani.

E tillë do të jetë edhe mbledhja e radhës, e vendosur për t’u zhilluar ditën e shtunë e që në rend dite ka arrestimin e gjyqtares së Lezhës, Parashqevi Ademi.

Duke qenë se prangosja e saj u krye në kushtet e flagrancës për veprën penale të korrupsionit pasiv, sipas legjislacionit është e domosdoshme që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të miratojë autorizimin për masën gjyqësore ndaj saj brenda afatit të 24 orëve nga arrestimi.

Por nga ana tjetër, me përpjekjen për të marrë një autorizim nga Këshilli, Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzoi fillimisht brenda ditës kur kreu aksionin edhe kërkesën në KLD, kërkesë e cila nuk mori përgjigjje.

Në këto kushte, Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti sërish një kërkesë të dytë këtë të premte, por sërish Këshilli e kishte të pamundur të mblidhej në kushtet e urgjencës, siç edhe u ndodhi për gjyqtarin e Sarandës, pasi kreu i KLD nuk ndodhet në Shqipëri.

Presidenti Nishani ndodhet në një vizitë pune në Gjermani, çka ka sjellë edhe mos organizimin e mbledhjes gjatë së premtes. Për këtë arsye, mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është njoftuar të ndodhë të shtunën, me një orarar të papërcaktuar, në varësi të kohës kur kreu i KLD-së do të kthehet në atdhe.

Anëtarët e KLD, të kontaktuar nga Top Channel, thanë se janë njoftuar të jenë të pranishëm në mbledhje rreth orës 17, por me shumë gjasë, sipas tyre, ata  do të jenë në pritje gjersa kreu i shtetit të kthehet në Tiranë.

Nga ana tjetër, prokuroria ka afat që të sigurojë këtë autorizim deri në mesditën e së dielës, në të kundërt gjyqtarja Ademi lirohet për shkak të tejkalimit të limiteve kohore.

Por ndërsa kjo çështje mund të ishte tepër e thjeshtë nëse Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të kishte një nënkryetar, në një rast të tillë që e shfaq KLD në një panoramë të komplikuar, ajo që duhet shpresuar është që kreu i saj të mos e humbasë avionin brenda këtij afati të caktuar nga ligji e për të qenë në krye të tryezës prej nga ku do ngrihen kartonat për gjyqtarin e tretë të arrestuar brenda pak muajsh. 

Top Channel