Bojaxhi takon studentët: E ardhmja, jo nga punësimet partiake

12/06/2015 00:00

E premtja e gjeti kandidatin e pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi, të ftuar në një bashkëbisedim me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, ku ka folur gjithashtu edhe Dr. Gilman Bakalli, ish-deputet.

Bakalli, në fillim të takimit, është shprehur me vlerësime ndaj kandidimit të Bojaxhiut, si një zgjedhje e qytetarëve të Tiranës, duke e quajtur këtë lajm si tepër pozitiv dhe shpresëdhënës, i cili falë veprimeve me integritet të ndërmarra gjatë fushatës ka tronditur – sipas tij, modelet partiake të deritanishme. Ish-deputeti ka vlerësuar fushatën qytetare si dhe transparencën që Bojaxhi ka bërë, veçanërisht me financimin e saj duke publikuar donacionet e qytetarëve.

Ndërkohë, me të marrë fjalën kandidati i pavarur për Tiranën, Bojaxhi tha përpara studentëve se ndryshimi fillon gjithnjë nga grupe të vogla, sfiduese të ‘status quo’-së, të cilat marrin guximin për të ndryshuar me sa munden pjesën e tyre në shoqëri. Grupimi “Ne Tirana”, sipas tij do ta ndryshojë politikën jo vetëm brenda këtyre zgjedhjeve lokale, por edhe pas tyre.

Bojaxhi ka thënë para studentëve se, shkak i keqqeverisjes dhe problemeve të tjera që kalon sot Shqipëria, e bashkë me të edhe Tirana, është thjesht politika, me sistemin e korruptuar dhe klientelisto-partiak, që kushtëzon qeverisjen në favor të interesave private dhe në dëm të interesit publik.

Sa i përket Tiranës, ku edhe synon të zgjidhet kryebashkiak më 21 qershor, Bojaxhi ka zbuluar thelbin e fushatës dhe premtimeve të tij: çrrënjosja e klientelizmit dhe depolitizimi i Bashkisë së Tiranës. Këto probleme politike, sipas tij, nëse anashkalohen dhe kthehen në çështje teknike, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e kthejnë problemin në një teatër.
 
Bojaxhi, ndër të tjera sulmoi edhe propagandën për grumbullimin e të gjitha pushteteve në një dorë, që siç tha ai po bëhet gjithandej në nivel lokal e qëndror.

“Propaganda që kryetari i Bashkisë duhet të kontrollojë Këshillin Bashkiak, jo vetëm që është propagandë antikushtetuese, por edhe antidemokratike, sepse këto janë qëllimisht të pavarura dhe funksionojnë mbi parimin e kontrollit dhe balancimit të pushteteve”, ka thënë Bojaxhi.  Për këtë, kandidati i pavarur për Tiranën tha në fund se, e vetmja garanci që kemi për mirëqeverisje në Bashkinë e Tiranës është Kushtetuta, që sanksionon se Këshilli duhet të kontrollojë kryetarin e Bashkisë.

Top Channel