Rama inspekton vijat bregdetare në Durrës e Vlorë

12/06/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama inspektoi ecurinë e punimeve të trajektores së re turistike të Durrësit, e cila nis tek mbikalimi i Plepave në hyrje të qytetit, në rrugën e plazhit drejt shëtitores Taulantia, deri në Curila, me korsi të veçanta për makina e biçikleta dhe trotuare, duke krijuar një vije të pandërprerë për lëvizje buzë detit.

Deri më tani ka përfunduar asfaltimi i korsive të lëvizjes me makinë, i korsisë prej 7 kilometrash për biçikleta dhe shtrimi i trotuareve. Ndërkohë që po punohet për sistemin e ndriçimit me vendosjen e 246 ndriçuesve dhe për mbjelljen e 416 pemëve anëve të saj.

“Bllokimi që i ishte bërë këtij investimi ishte në vazhdën e bllokimit dhe të izolimit që qeveria në Tiranë u kishte bërë të gjitha bashkive që drejtoheshin nga socialistët. Realizimi i këtij projekti transformues dëshmon sesi kryetari i bashkisë ka arritur t’u kthejë në investime, qytetarëve të Durrësit. Nëse vetëm në 18 muaj ndodhën këto ndryshime të mëdha, në katër vitet e ardhshëm projekte shumë ambicioze do të jetësohen për Durrësin”, deklaroi Rama.

Pas Durrësit, Rama i është drejtuar Vlorës nga ku nisi zbatimi në terren i projektit të vijës bregdetare të Vlorës, i njohur si Lungomare, me një financim nga Komisioni Europian. Projekti konsiston në rehabilitimin dhe rivitalizimin e hapësirës urbane brenda vijës bregdetare të qytetit të Vlorës.

“Besoj se është një ditë e mirë për të gjithë skeptikët e Vlorës, që nga sot do të jenë shumë të qetë. Sot, pas lidhjes së kontratës me një kompani prestigjoze ndërkombëtare, e cila është përzgjedhur nga Komisioni Europian dhe me financimin e KE, ashtu siç e kam shpjeguar disa herë nis edhe pjesa më e rëndësishme e projektit, e cila përfshin infrastrukturën e vijës bregdetare apo të Lungo Mares, që këtu ku jemi, e tek nga turizmi i vjetër deri në fund, dhe bën të mundur që 14 muaj është afati i punimeve, por jam i bindur që mund të bëhet edhe pak më shpejt që të jemi plotësisht gati në sezonin e ardhshëm. Më pas do të vazhdohet me anën tjetër që përfshin të gjithë pjesën e vijës bregdetare nga porti deri tek Pylli i Sodës”, ka thënë Rama.

Besoj se është një ditë për t’u gëzuar, ka përsëritur ai, sepse më në fund të gjitha procedurat e gjata burokratike të Komisionit Europian përfunduan me sukses. “Dhe ja ku jemi tani për të parë një transformim rrënjësor, të paimagjinueshëm vetëm 18 muaj më parë”, ka shtuar Rama.

Top Channel