“Ushtria” e fëmijëve që punojnë, 54 mijë në gjithë vendin

12/06/2015 00:00

54 mijë fëmijë në të gjithë vendin kryejnë punë të rrezikshme, nuk shkojnë në shkollë dhe shfrytëzohen nga familjet e tyre.

Të dhënat e INSTAT saktësojnë se 20 mijë prej tyre kryejnë punë të rrezikshme dhe plot 2700 fëmijë, të moshës 5 deri në 13 vjeç, shfrytëzohen në rrugë.

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Punës së Fëmijëve, qindra nxënës në kryeqytet kanë marshuar për t’i thënë “Jo” punës. Ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig kërkoi angazhimin e qeverisë për ndaljen e këtij fenomeni.

“2500 fëmijë që kërkojnë lëmoshë, lajnë xhamat e makinave apo mbledhin materiale të riciklueshme, shumica e tyre nuk shkojnë në shkollë, nuk luajnë si fëmijët e tjerë dhe nuk kanë ushqim të përshtatshëm. Kjo është një sfidë që nuk mund të fitohet vetëm me një fushatë. Sidoqoftë, shteti ka për detyrë që të mbrojë shtresa e dobta”, tha ambasadori i OSBE-së, Raunig.

“Për çdo rast që ju jeni dëshmitarë të një rasti trafikimi, shfrytëzimi në punë, të denonconi tek strukturat e policisë, të raportoni dhe të jeni të bindur që policia do t’u gjendet në mbrojtje menjëherë”, tha Elona Gjebrea, zv.ministre e Brendshme.

“Do t’ju vëmë në dispozicion shkolla të veçanta, kurse të veçanta verore që ata të kapërcejnë vështirësitë, në mënyrë që në 2016-n të kemi zero braktisje të shkollës, të kemi zero shfrytëzim të fëmijëve, ndaj bashkohuni të gjithë me ne”, u shpreh Nora Malaj, zv.ministre e Arsimit dhe e Sportit.

Në rrugët e kryqytetit dhe të shumë qyteteve kryesore në ndeshemi çdo ditë me fëmijë, të cilët detyrohen të lypin apo të lajnë xhamat e makinave në këmbim të disa qindarkave. Ata janë të privuar nga të gjitha të drejat e tyre si strehimi, ushqimi i mjaftueshëm dhe i përshtatshëm dhe shkollimi.

Top Channel