Basha: LSI një organizatë kriminale. PS po i shet Metës edhe Bashkinë e Beratit

12/06/2015 00:00

Ditëlindjen e 41-të Lulzim Basha e kaloi mes mbështetësve të opozitës në mitingun përmbyllës në Berat. Por ai e di se nuk është koha as për festë dhe as për lule.

Sipas Bashës, Shqipëria është zhytur në një mjerim që qeveria refuzon ta shohë.

Akoma kam ndërmend zotërinë që më tha në një takim në Berat se ‘për atë zot nuk kam bukë në shtëpi’. Akoma kam në mendje zonjën nga Korça qe u këput me 300 lekë në mes të pazarit dhe nuk kishte para për t’i blerë bukë fëmijëve. Kam ndërmend zonjën që me tha në Rrogozhinë se ‘shes gjakun për të paguar faturat e energjisë’”, tha Basha.

Lulzim Basha e di që varfëria nuk u shfaq këto 2 vjet, por ai thotë se këto dy vjet të qeverisjes Rama-Meta janë humnerë për ekonominë e vendit dhe lartësim për pasurimin korruptiv.

“Kjo është Shqipëria e halleve të shumëfishuara prej arrogancës së tyre, padrejtësisë së tyre, është Shqipëria e mjerimit të pesëfishuar, e greminës në të cilën bien fatet e familjeve të djathta e të majta, teksa oligarkia hedh valle në kështjellat tona, me taksat tona”, u shpreh kreu i opozitës.

Në Berat kryeministri Rama ka prezantuar projektin e ishullit mbi Osum, por Lulzim Basha thotë se Berati ka nevojë për tjetër gjë.

“Edi Rama do që të bëjë ishull. O piktor, njerëzit duan punë, duan bukë, të ardhme, shpresë. Mbaje ishullin për vete, se në ishull ke 2 vjet që jeton, se po të mos jetoje në ishull do të dëgjoje zërin e njerëzve këtu që rënkojnë nga varfëria që është rritur, se u ke rritur taksat, se po të mos jetoje në ishull do të bëjë diçka në vend që të grindeshe dhe të shaje opozitën, të krijoje vende pune, siç premtove”, tha Basha.

Kur u kërkoi të majtëve të Beratit t’i bashkohen opozitës, Lulzim Basha nuk u kursye në akuza për dyshen qeverisëse Rama-Meta.

“E dinë socialistët e Beratit çfarë ishulli jeton t’i, qe pasi i shite çdo drejtori organizatës kriminale që quhet LSI, tani do t’i shesësh edhe bashkinë, por nuk do t’ju lejojmë më, ora e popullit po vjen”, u shpreh Basha.

Top Channel