Veliaj takon kryebashkiakun e Berlinit: Vendosëm urat e bashkëpunimit pas 21 qershorit

12/06/2015 00:00

Vendosja e urave të bashkëpunimit mes Bashkisë së Berlinit dhe Bashkisë së Tiranës pas datës 21 qershor ka qenë kryefjala e takimit, që Erion Veliaj, kandidat i mazhorancës për kryeqytetin, ka zhvilluar me kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit gjerman, Michael Muller, teksa nga ky i fundit ka marrë mbështetjen për të nisur një bashkëpunim të ngushtë pas fitores së zgjedhjeve.

“Ishte një mundësi e veçantë prania sot në Berlin për të takuar kryebashkiakun Michael Muller. Gjermania ka qenë partner kryesor gjatë kohës që kemi punuar në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Më vjen mirë që do të vazhdojmë këtë bashkëpunim me Gjermaninë edhe në Bashkinë e Tiranës, pasi Bashkia e Berlinit është sot një nga bashkitë më të suksesshme sot në Europë. Një bashki që ka një efiçencë maksimale në investime, në zhvillimin urban dhe në mënyrën sesi u integruan pjesët e dikurshme të Berlinit lindor dhe atij perëndimor. Disa nga këto sfida janë shumë të ngjashme me Shqipërinë, ndaj mezi pres që pas zgjedhjeve të 21 qershorit ne të kemi një mundësi fantastike për të bashkëpunuar me Berlinin, ashtu siç kemi bashkëpunuar me qeverinë gjermane për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve tanë dhe për të mësuar nga më të mirët në çështjet e menaxhimit urban dhe të infrastrukturës”, u shpreh kandidati i majtë, Erion Veliaj.

Bashkëpunimi me Gjermaninë nuk është diçka e re për Erion Veliajn, pasi ky shtet ka qenë një nga bashkëpunëtorët kryesorë gjatë kohës që Veliaj ishte ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në reformat e pensioneve, ngritjen e zyrave të punës, hapjen e shkollave profesionale apo edhe hapjen e dosjeve sipas modelit gjerman. Tashmë duket se, në rast fitoreje të Bashkisë së Tiranës, Veliaj ka siguruar dhe një bashkëpunëtor të fuqishëm, siç është Bashkia e Berlinit.

Ndërkaq, mësohet se Veliaj është ftuar të takohet edhe me kryetarin e Bashkisë së Romës, takim i cili duket se do të ndodhë pas datës 21 qershor.

Top Channel