Rama-Meta, në Fier dhe Lushnje: Më shumë pushtet për bashkitë e reja

12/06/2015 00:00

Nga Fieri dhe në përvjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama premtoi vijimin e reformës administrativo-territoriale me zgjerimin e kompetencave për kryetarët dhe këshillat e bashkive të reja, si dhe ftoi qytetarët që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 21 Qershorit.

Rama tha se kandidati i ASHE për bashkinë e re të Fierit, Armando Subashi ka një program dhe vizion për Fierin, për të cilin do të gjejë mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë.

Kryeministri tha se më 21 Qershor shqiptarët do të votojnë më të lirë se kurrë.

“Asnjë shkollë nuk u mbyll se erdhi kryeministri këtu! Asnjë listë me mësues nuk u hartua se erdhi kryeministri këtu”, tha Rama.

Ai u ndal edhe tek ndarja e re territoriale, që sipas tij, i jep një mundësi historike fshatit.

“Asnjëherë fshati nuk ka pasur mundësinë që i jep reforma jonë historike, ku për herë të parë fermerët do të kenë pranë mbështetjen, që nuk e kanë pasur kurrë, përmes bashkive të reja dhe kryetarëve të bashkive. Jemi të vendosur që reformën ta çojmë më tutje, që të japim shumë më tepër pushtet për bashkitë dhe kryetarët e bashkive, të ndajmë përgjegjësitë dhe detyrat mes nesh që të zgjedhurit tuaj vendorë, të jenë të rëndësishëm që të kenë mundësi të bëjnë ato detyra”, tha Rama.

Kreu i mazhorancës deklaroi se me ndarjen e re nuk është bërë thejshtë një bashkim ekonomik territoresh, por janë ngritur 61 njësi ekonomike zhvillimi.

Edhe Ilir Meta kërkoi një pjesëmarrje masive më 21 qershor.

“Ndërsa të tjerët shpifin e shajnë, ne propozojmë zgjidhje dhe mundësitë më të mira për familjet e Fierit. Këtu e vetmja fjalë, dhe që nuk ka nevojë të thuhet, është fjala “fitore”, ndaj unë po e mbyll duke uruar një fitore të thellë dhe të jashtëzakonshme që do të vijë përmes një pjesëmarrjeje të gjerë dhe të jashtëzakonshme”, tha kreu i LSI-së.

Fushata e koalicionit të majtë ka vijuar vetëm pak minuta më vonë në qendër të Lushnjes, ku krerët e tij kanë ritheksuar premtimet dhe angazhimin e tyre për realizimin e tyre.

Në fjalën e tij, kryetari i LSI-së, Ilir Meta është shprehur i bindur për një fitore të padiskutueshme të së majtës në Lushnje.

“Nuk më ka shkuar në mendje të diskutoj fitoren e së majtës në Lushnje. Me votën e 21 qershorit ne japim një mbështetje për reformën e re territoriale, e cila do t’i japë fund fragmentarizimit të pushtetit vendor”, ka deklaruar Meta, për të shtuar se bashkia e re do të vijojë transformimin e qytetit të nisur në këto 18 muaj.

“Në pak muaj qytetarët e Lushnjes e panë transformimin e shtetit të qytetit. Lushnja do të jetë lokomotiva e zhvillimit tonë të bujqësisë”, ka thënë Meta.

Në të njëjtat linja është shprehur edhe kryeministri Edi Rama. “18 muajt e bilancit tonë janë të pamjaftueshëm për të mbyllur të gjitha hallet, por ne jemi fuqia e ndryshimit dhe e kemi kthyer vendin në drejtimin e duhur. Ne kemi potencialin e jashtëzakonshëm për të bërë shumë më tepër”, ka thënë Rama.

Pasi ka kritikuar qeverinë e mëparshme, që e la sipas tij buxhetin në një gjendje dramatike, kryeministri ka theksuar se zgjedhjet e 21 qershorit do të sjellin edhe shumë risi përmes reformës territoriale.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme edhe për reformën e re për riorganizimin e shtetit. Nuk kemi bërë një bashkim mekanik të territoreve, por kemi krijuar zona zhvillimore”, ka thënë Rama.

Top Channel