Koncerti i bamirësisë në TKOB

12/06/2015 00:00

Violinisti Shkëlzen Doli vjen me një koncert bamirësie në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, të shtunën në mbrëmje, të ardhurat e të cilit do të shkojnë për fëmijët e fshatrave SOS.

Kjo është hera e parë e Dolit me Orkestrën Simfonike të këtij institucioni. Dirigjent, britaniku Geoff Westley. Në program del sërish në pah “shpirti shqiptar” i artistit që luan në Filarmoninë e Vjenës, me të cilën interpretoi muzikë tradicionale vendase të përpunuara, për pjesën televizive të Koncertit të Vitit të Ri.

“Do të përpiqem që në çdo koncert, sipas rastit, të fus ndonjë perlë të muzikës shqiptare. Kësaj radhe zgjodhëm ‘Bareshën’ të kompozitorit Rexho Mulliqi, në përpunim të muzikantit, kompozitorit dhe orkestruesit të talentuar, Gerti Druga”, u shpreh Shkëlzen Doli, violinist.

Sa i përket gjigantëve botërore të muzikës klasike, programi përmban “Simfoninë nr. 5” të Beethoven, “Overture” nga “Dasma e Figaros” dhe “koncertin për violinë nr. 5” po nga Mozart. Me këtë të fundit, Doli ka konkurruar edhe për të qenë pjesëtar i Filarmonisë së Vjenës dhe, të shtunën mbrëma, do të luhet në versionin e traditës së kësaj filarmonie.

Sa i përket së ardhmes, ai ka folur për një koncert me muzikë tërësisht shqiptare. Duke iu rikthyer këtij koncerti dhe bamirësisë, ky është i dyti që organizohet nga TKOB, në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë.

“Aktivitete dhe veprimtari të tilla artistike, nëse shërbejnë për një ndihmë humanitare, mendoj se është gjë shumë e mirë”, tha Ilir Kerni, drejtor i TKOB-së.

Me këtë koncert përfundon edhe sezoni i TKOB-së.

Top Channel