Halim Kosova me banorët e njësisë 2: Ja vizioni im për Tiranën

12/06/2015 00:00

Kandidati i PD për Tiranën, Halim Kosova ka zhvilluar mbrëmjen e së premtes, në vazhdën e takimeve elektorale, një bashkëbisedim me banorët e njësisë numër 2 të kryeqytetit.

Në fjalën e tij, zoti Kosova ka premtuar se do të jetë një kryebashkiak i punës dhe jo i fjalëve dhe për më tepër një kryetar që do të qëndrojë larg konflikteve politike.

“Tirana sot ndodhet në udhëkryq se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i bashkisë. Unë jam i bindur se qytetarët do të votojnë për atë kandidat që ka punë dhe jo fjalë. Unë nuk jam një politikan tipik, por ndoshta kjo është ajo që i duhet Tiranës. Unë kam vizion për qytetin dhe jo për karrierë politike”, ka thënë Kosova.

Mjeku i njohur ka dhënë garancinë e tij se, bashkia e re do t’u ofrojë qytetarëve atë që meritojnë, duke u shërbyer atyre me përkushtim.

“Ne do krijojmë vende pune, do të ndërtojmë shkolla të reja dhe më shumë rrugë. Gjithashtu, ne do të ulim me 30 për qind taksat për biznesin”, ka shtuar në fjalën e tij Kosova.

Top Channel