Interpoli pezullon marrëveshjen me FIFA-n për të luftuar trukimet dhe bastvëniet e paligjshme

12/06/2015 00:00

Interpoli ka pezulluar gjatë së premtes një marrëveshje 20 milionë euroshe për “integritetin” e sportit të nënshkruar me FIFA-n, në fund të asaj që mund të konsiderohet si java “testuese” për trupën qeverisëse të futbollit botëror, të goditur rëndë nga skandali i korrupsionit, gjë që detyroi edhe dorëheqjen pas 4 ditësh të presidentit të rizgjedhur, Sepp Blatter, braktisjen momentale të pritjes së ofertave për Botërorin 2026, si dhe sekuestrimin e shumë materialeve nga selia e saj në Zyrih.

FIFA është përballur gjithashtu me thirrje të vazhdueshme, këtë herë edhe nga Parlamenti Europian, për zmbrapsjen e presidentit në largim, Sepp Blatter, ndërkohë që planet e ofruara nga Gjermania për të reformuar mënyrën sesi vepron organizata është refuzuar nga drejtuesit e futbollit në Azi, Afrikë, Amerikën Latine dhe Karaibe.

Vendimi i Interpolit për të ngrirë financimin nga UEFA për të luftuar trukimet e ndeshjeve dhe bastvëniet e paligjshme ka qenë në fakt e paevitueshme, gjë që vjen vetëm pak ditë pasi organizata ndërkombëtare e policisë ka vendosur në listën e më të kërkuarve dy ish-zyrtarë të FIFA-s, dhe kur skandali i korrupsionit në futbollin botëror sa vjen e po thellohet.

Shkatërrimi gjithnjë e më i madh i reputacionit të FIFA-s ka ngritur dyshime në lidhje me kohën sesa gjatë do të mund të bashkëpunojnë me të federatat e tjera të anëtarësuara në të, madje edhe vetë sponsorët.

“Dëmi më i madh dhe më serioz i këtij vendimi të Interpolit është perceptimi i gjerë se organizatat e përfshira në këtë mes po braktisin tashmë FIFA-n. Kjo e përkeqëson edhe më tej imazhin “e papastër” dhe izolimin gjithnjë e më të madh të saj”, tha Chris Eaton, një ish-oficer i Interpolit, si dhe ish-këshilltar i FIFA-s për çështjet e antikorrupsionit, i cili tashmë është pjesë e Qendrës Ndërkombëtare për Sigurinë në Sport.

Vendimi i Interpolit është një zhgënjim total, bëri të ditur FIFA, pasi programi për “integritetin në sport” i nisur prej 2011-s nuk ka pasur aspak lidhje me “çështjet aktuale” me të cilat po përballet organizmi botëror i futbollit.

I fundit mes këtyre çështjeve ka qenë njoftimi i së enjtes nga drejtori i Komunikimit, Ëalter de Gregorio, imazhi publik i FIFA-s, për dorëheqjen e tij pasi kishte bërë një shaka në kurriz të punonjësve të tij. Largimi i tij vjen pasi u shfaq në një televizion zviceran, ku u pyet mbi shakanë e tij të preferuar, e që në fakt ishte “presienti i FIFA-s, sekretari i përgjithshëm dhe drejtori i medias janë brenda një makine. Kush po e nget makinën? Policia”.

Top Channel