Jackson Martinez lojtar i Milanit, tashmë mungon vetëm firma

13/06/2015 00:00

Pavarësisht interesimit me ngulm nga ekipet elitare në Premier League, tashmë duket se Jackson Martinez ka vendosur të luajë në “San Siro” sezonin e ardhshëm.

Pasditen e së premtes, Silvio Berluskoni deklaroi se Milani është shumë pranë marrëveshjes me sulmuesin, ndërsa në mbrëmje thuajse u bë zyrtare. “Jackson do të luajë në Milano sezonin e ardhshëm”, tha presidenti i Portos, Pinto da Costa. Më pas erdhi konfirmimi edhe nga “Milano Channel”: “Marrëveshja është arritur”.

“Kjo është ajo që dëshironte ai. Unë dua që ai të jetë i lumtur. Milani do të paguajë 35 milionë euro për të”, shtoi më tej”, presidenti i Portos.

Megjithëse paga e lojtarit ende nuk është përcaktuar, mediat italiane shkruajnë se sulmuesi kolumbian do të marrë 4 milionë euro në vit. Ndërsa vizitat mjekësore dhe firma pritet të kryhen në Kili, atje ku ai është i angazhuar me kombëtaren e Kolumbisë në Kupën e Amerikës.

Berlusconi foli edhe më shumë për të ardhmen e Milanit. “Po tentojmë të nënshkruajmë edhe me Ibrahimovic, pasi kemi nevojë për 3 sulmues të fortë. Shpresojmë t’i krijojmë Mihajlovic-it një ekip për titull kampion”, tha Berlusconi.

Top Channel