Bisedimet mbi programin bërthamor të Teheranit, Irani i shqetësuar nga sulmet kibernetike

13/06/2015 00:00

Irani dhe 6 fuqitë botërore, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania, vazhdojnë bisedimet për arritjen e një marrëveshje deri më 30 qershor mbi programin bërthamor të Teheranit.

Ndërkohë, përfaqësuesit e delegacionit iranian në bisedimet që po mbahen në Austri dhe Zvicër, janë shprehur të shqetësuar të premten, pasi ka pasur raportime për sulme kibernetike në kompjuterët e tyre. Lajmi është raportuar nga agjencia e lajmeve iraniane “Fars”.

Kompania ruse e sigurisë kompjuterike, “Kaspersky Lab”, tha se një virus ka qarkulluar në rrjetin kompjuterik në tre hotelet luksoze ku po mbahen bisedimet, në Austri dhe Zvicër.

Me anë të një letre, Ministria e Jashtme e Iranit i ka shprehur shqetësimin qeverive të Austrisë dhe të Zvicrës lidhur me rastin. Teherani ka kërkuar gjithashtu që të informohet mbi rezultatet e hetimeve.

“Irani kërkon që të merren të gjitha masat e nevojshme për të siguruar bisedimet, duke përfshirë sigurinë kibernetike, sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhej ndër të tjera në letrën e dërguar dy qeverive.

Kompania ruse e sigurisë kompjuterike dhe një kompani amerikane, kanë thënë se kanë zbuluar një virus spiun të quajtur “Duqu”, për të cilin ekspertët e sigurisë besojnë se është krijuar nga Izraeli.

Top Channel