SHBA, hakerat hyjnë sërish në të dhënat e funksionarëve të qeverisë

13/06/2015 00:00

Hakera që dyshohen për lidhje me Kinën kanë siguruar akses në të dhëna të rëndësishme mbi personelin ushtarak dhe atë të shërbimeve sekrete të Shteteve të Bashkuara.

Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë. Detaje të një depërtimi të tillë dolën në publik javën e kaluar, por tani zyrtarët flasin për një depërtim të dytë.

Druhet se sulmi mund ta kthejë personelin amerikan të sigurisë ose familjet e tyre në objekt shantazhi. Agjencia e përfshirë në këtë sulm kibernetik, Zyra për Menaxhimin e Personelit, nuk ka bërë ende një koment mbi të dhënat e fundit.

Zyrtarë amerikanë, që kanë folur në kushte anonimati për “Associated Press”, besojnë se agresorët kanë vënë në shënjestër formularët e plotësuar nga personeli i shërbimeve të inteligjencës dhe ai ushtarak për sigurimet shoqërore.

Dokumenti përfshin informacione personale, përfshirë ngjyrën e syve, historinë financiare, abuzimin me substanca të ndaluara në të kaluarën, si dhe kontaktet e individëve me miq dhe të afërm.

Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se, hetuesit kanë të dhëna të sigurta se informacioni bazë mbi punonjësit e qeverisë është bërë pre e një sulmi të tillë. Joel Brener, një ish-oficer i kundërspiunazhit amerikan, i cilësoi të dhënat si një “minierë ari” për hakerat.

Gjithashtu, besohet se depërtimi në të dhënat personale të funksionarëve të qeverisë amerikane javën e kaluar mund të jetë më i madh nga sa mendohet.

Vlerësimet fillestare flisnin për 4 milionë persona të prekur nga sulmi, por zyrtarë të afërt me hetimet thanë për “AP” se në sulmi mund të ketë përfshirë 14 milionë.

Top Channel