Greqia, rënie në bursat ndërkombëtare nga frika e falimentimit

13/06/2015 00:00

Aksionet në tregjet financiare evropiane kanë rënë ndjeshëm pas lajmeve se liderët evropianë kanë diskutuar mbi një falimentim të mundshëm të Greqisë.

Bursa e Athinës u mbyll me një rënie prej 6 për qind, ndërsa Dax e Gjermanisë dhe Cac40 e Francës me mbi 1 për qind. aksionet pësuan rënie edhe në Shtetet e Bashkuara, me treguesin e Dow Jones që ra me 0.8 për qind.

Greqia po përpiqet të arrijë një marrëveshje e cila do të zhbllokojë fondet e ndihmës, ndërsa po kërkon të shmangë falimentimin që mund të vijë nga dështimi në shlyerjen e një kësti prej 1.5 miliardë euro ndaj FMN-së. Pagesa duhet të bëhet brenda fundit të muajit.

Sipas burimeve qeveritare, të cituara nga agjencitë e lajmeve, zyrtarët e Eurozonës zhvilluan të enjten në Bratisllavë takimin e parë formal mbi falimentimin e mundshëm të Greqisë.

Po të enjten, zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dolën nga takimi me politikanët grekë në Bruksel me qëndrime diametralisht të kundërta.

Ditën e premte, presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem deklaroi se një marrëveshje e Greqisë pa FMN-në është e “paimagjinueshme”.

Gjithashtu, një ditë më parë, aksionet në Bankën Kombëtare të Greqisë ranë me mbi 10 për qind, ndërsa ato në Bankën e Pireut me mbi 11.5 për qind.

Evropa dhe Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara gjithashtu se një falimentim i mundshëm i Greqisë mund të dëmtojë investitorët e huaj në këtë vend. Megjithatë, kancelarja Angela Merkel u bëri thirrje të gjitha palëve që të vijojnë negociatat.

Top Channel