Elbasan, valë procedimesh; persona të shumtë nën kontroll për vepra të ndryshme

13/06/2015 00:00

Gjatë 24-orëve të fundit, efektivat e Drejtorisë së Policisë së qarkut të Elbasanit kanë nisur një seri procedimesh në gjendje të lirë ndaj disa shtetasve, të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Kështu, ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit të identifikuar me iniciale, E.M, 27 vjeç, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta goditi me sende të forta një bashkëmoshatar, duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike.

Materialet për këtë rast i kanë kaluar prokurorisë së rrethit, e cila ka ngritur akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”.

Ndërkohë, në procedim kanë përfunduar edhe tre të rinj, të moshave 20 dhe 24 vjeç, të cilët gjatë një kontrolli të policisë u kapën me aparate celularë të cilët dyshohen se ishin futur në vendin tonë në formë kontrabande. Akuza e ngritur ndaj tyre është ajo e “tregtimit dhe transportimit kontrabandë të mallrave”.

Në “lupën” e hetuesve ka përfunduar edhe një 61-vjeçar nga fshati Togës Librazhd, i cili në mënyrë të përsëritur i ka shkaktuar frikë dhe ankth një 22-vjeçareje dhe tani përballet me akuzën e “përndjekjes”.

Ndërkohë, një shtetas tjetër, i identifikuar me inicialet S.T dhe banues në fshatin Floq Elbasan, është shpallur në kërkim nga autoritetet pasi është konstatuar se ka ndërtuar një objekt pa leje.

Top Channel