Dako: Inspektorati i Arave i jep zgjidhje konfliktit të tokës

13/06/2015 00:00

Inspektorati i Arave që do të krijohet, pritet t’i japë fund konfliktit për tokën. Kështu është shprehur kandidati i majtë për Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako. Ai është takuar me banorët e Manzës, Armathës dhe Shkallës, ku ka shpalosur programin e tij elektoral.

“Unë zotohem se si kjo kohë, vitin tjetër do kemi në funksionim rezervuarin e Tarinit për vaditjen e tokave, kanalet e pastruara për vaditje dhe kullim si dhe rrugët në brendësi të parcelave. Zona që i bashkëngjitet bashkisë së re të Durrësit do të përfitojë edhe trefishin e sasisë së ujit që merr aktualisht, pasi investimi i Bankës Botërore pritet të nisë shumë shpejt dhe zona rurale do të furnizohet me ujë me linjën e vjetër që është aktualisht në punë. Infrastrukturën rrugore që kemi bërë në Durrës do ta sjellim edhe këtu duke e bërë Manzën, Ishimin, Katundin e ri, Sukthin dhe Rrashbullin model, siç kemi bërë në Durrës në këto 8 vjet”, tha Dako.

Në çdo qendër të madhe të komunave dhe bashkive aktuale do të ketë nga një shesh me sipërfaqe 200-300 metër katror si qendër argëtimi dhe shlodhjeje për moshën e tretë, ndërsa për njerëzit në nevojë bashkia e re do të ndërtojë qendra multifunksionale sociale. Në fshatin Armathe, Dako ka deklaruar se “bujqësia është baza ku ne duhet të mbështetemi për zonën tuaj, por ju duhet të fokusoheni tek produktet bio, vreshtat dhe kultivimi i ullirit, sepse vetëm kështu do të konkurojmë me vendet e rajonit”.

Top Channel