Berlin, Nishani takon homologun Gauck. Në fokus, reformat, integrimi dhe rajoni

13/06/2015 00:00

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani u takua në Berlin me homologun gjerman, Joachim Gauck, me të cilin bisedoi për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, reformat që vendi ynë po kryen në kuadrin e procesit të integrimit europian, si edhe për çështje të tjera të lidhura me sigurinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen dhe e falënderoi Presidentin Gauck për mbështetjen e qenësishme që Gjermania dhe populli gjerman i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve për anëtarësimin në NATO, procesin e integrimit europian dhe për zhvillimin ekonomik.

“Gjermania mbetet një nga donatorët më të mëdhenj për Shqipërinë dhe falë kësaj ndihme bujare, është bërë e mundur rimëkëmbja ekonomike e sociale e vendit pas rënies së regjimit komunist si dhe forcimi i institucioneve demokratike”, tha Nishani.

Ai e garantoi homologun e tij gjerman se, Shqipëria është shumë e vendosur për të kryer të gjitha reformat e nevojshme që e afrojnë dhe integrojnë vendin me Bashkimin Europian.

“Shqipëria sot është vend kandidat për në Bashkimin Europian, dhe ju siguroj se ne shqiptarët nuk kemi një alternativë tjetër B, por jemi tërësisht të fokusuar në përmbushjen e reformave dhe standardeve të nevojshme për integrimin e vendit në Union”, u shpreh kreu i shtetit shqiptar.

Duke u ndalur tek reformat e ndërmarra, Nishani evidentoi vëmendjen e madhe që ai personalisht i kushton reformës në fushën e drejtësisë, si një prej reformave kyçe për forcimin e institucioneve dhe të shtetit ligjor në Shqipëri, por edhe për luftën ndaj korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë.

“Për të pasur një sistem funksional drejtësie duhet të promovohen njerëz me integritet dhe profesionalizëm e që kanë vullnetin e plotë për t’i çuar reformat më përpara. Për këto reforma do të duhet të punohet ngushtë me Komisionin e Venecias dhe ekspertët e EURALIUS-it, ku një rol shumë të rëndësishëm luajnë dhe ekspertët gjermanë”, tha Nishani.

Presidenti shqiptar i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, duke evidentuar eksperiencën e mirë të deritanishme dhe mundësitë ende të pashfrytëzuara, veçanërisht në sektorët strategjikë si energjia, industria minerare, infrastruktura, bujqësia, etj.

Në përgjigje të interesit të Presidentit Gauck lidhur me numrin në rritje të azilkërkuesve shqiptarë, Nishani vuri në dukje se ka udhëzuar qeverinë për të lehtësuar maksimalisht riatdhesimin dhe riintegrimin e tyre, si dhe vijimin e fushatës sensibilizuese për dekurajimin dhe frenimin e këtij fenomeni shqetësues.

Presidenti Gauck e siguroi Nishanin se, Gjermania do të vijojë ta ndihmojë Shqipërinë siç ka bërë deri më sot, deri në përmbushjen e plotë të reformave që e forcojnë më tej shtetin ligjor dhe që e afrojnë vendin tuaj me Bashkimin Europian.

Me shumë interes u bisedua edhe rreth çështjeve të sigurisë, duke u fokusuar në kërcënimet që i vijnë shoqërisë së sotme nga organizatat terroriste dhe domosdoshmërinë për të reaguar në kohezion dhe koordinim mes vendeve partnere.

Top Channel