Idrizi, në Tiranë: PDIU, parti mbarëkombëtare

13/06/2015 00:00

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi është takuar me banorë të njësisë nr. 7 në Tiranë. Ai tha se PDIU tashmë është një parti mbarëkombëtare, e cila ka afruar në gjirin e saj çdo shqiptar patriot.

“Unë jam i bindur se me mbështetjen tuaj, duke na dhënë forcë, ne do të kemi një rezultat spektakolar në të gjithë Tiranën dhe në të gjithë Shqipërinë. Jam i bindur për këtë prej asaj që shoh çdo ditë, sepse ne e kemi kapërcyer tashmë idenë e partisë së vogël, idenë e partisë së çështjes çame. Sot, ne jemi parti e të gjithë shqiptarëve nga Dibra, Kukësi, Tropoja, Konispoli e kudo që ka dhe rreh zemër shqiptari. Ka qenë pikërisht ky vokacion kombëtarist për t’i parë shqiptarët bashkë, që e ka bërë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet një parti të madhe e të fuqishme, ku çdo ditë afrohen njerëz që kanë të njëjtin mendim me ne, njerëz që mendojnë se besimi te Zoti, dinjiteti, integriteti është ajo çka janë themelore në jetën e njeriut dhe në veçanti në rrjedhat e një kombi, siç është kombi shqiptar”, tha Idrizi.

PDIU kandidon në Tiranë me një listë të plotë për anëtarë të Këshillit Bashkiak. Lista kryesohet nga znj. Vjollca Braho dhe z. Arjan Çukaj.

Top Channel