Me ardhjen e verës nuk mungojnë as mushkonjat. Të përpikta si gjithmonë, na bezdisin, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes. Por ka njerëz që pickohen më shumë nga mushkonjat se disa të tjerë.

Sipas një studimi, kjo ka një bazë gjenetike. Studimi anglez është realizuar nga “London School of Hygiene and Tropical Medicine”. Testi përfshin 19 çifte binjakësh homozigotë dhe 19 çifte heterozigotë, të një moshe mes 50 deri në 90 vjeç, mes të cilëve të gjitha femrat ishin në menopauzë. Kjo për të shmangur fuqinë tërheqëse me erëra të ndryshme nga periudha menstruale.

Pjesëmarrësve në eksperiment u është kërkuar të mos përdorin alkool apo ushqime që kanë hudhër, qepë apo speca, 24 orë para eksperimentit. Pasi të kenë larë duart, u është kërkuar të mos prekin asgjë dhe t’i lënë të thahen në ajër pa përdorur peshqir apo shami.

Nëpërmjet përdorimit të një olfatometri turbolar (shpërndarësi) në formë Y-je, mushkonjat ranë në kontakt me erërat që lëshohen nga duart e çifteve që morën pjesë. Të dhënat e mbledhura evidentuan se insektet sillen në mënyrë identike me binjakët homozigotë, duke treguar sjellje të njëjtë. Ndërsa tek heterozigotët, interesi ishte i ndryshëm rast pas rasti.

Sjellja e 20 femrave të Aedes Aegypti, mushkonja e etheve të verdha, që kanë marrë pjesë në eksperimentin e ndjekur nga profesori James Logan, tregon se përtej erërave, ushqimeve apo grupit të gjakut, mushkonjat tërhiqen nga ana gjenetike.

Studimet e ardhshme do të hulumtojnë se cili është përbërësi gjenetik konkret që ndikon në zgjedhjen e insekteve, dhe si të përdoren për të zhvilluar një metodë efikase kundër pickimeve.

Shqetësimi më i madh është në disa zona në botë, ku ethet tropikale dhe ethet e verdha të shkaktuara nga këto mushkonja janë shumë të rrezikshme.

Top Channel