Basha, në Burrel: 21 Qershori, dita e llogaridhënies për qeverinë

13/06/2015 00:00

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në vijim të fushatës elektorale është ndalur paraditen e së shtunës në Burrel, prej nga ka përsëritur sulmet ndaj koalicionit qeverisës.

Sipas Bashës, 21 Qershori do të jetë dita e llogaridhënies për dyshen Rama-Meta, e cila sipas tij, i druhet përballjes me qytetarët për shkak të premtimeve të pandara.

“21 Qershori do të jetë dita e llogaridhënies. Dyshja Rama-Meta nuk mbajti premtimet dhe sot ju shmanget juve. Rama-Meta premtuan uljen e çmimit të energjisë, uljen e çmimeve, uljen e papunësisë dhe krijimin e mijëra vendeve të punës. Ata nuk mbajtën asnjë nga këto premtime, ndaj dhe refuzojnë të dalin përpara jush. Nuk ka shëndetësi falas, nuk ka kantiere ndërtimi, nuk ka asgjë sepse kanë vjedhur 150 milionë dollarë. Këto para kanë përfunduar në xhepat e oligarkisë, që teksa populli vuan, ndërton saraje, vila, etj. Ata kanë alergji nga premtimet e tyre”, ka deklaruar Basha.

Top Channel