Finalja e “Big Brother 8”, 6 konkurrentë në garë

13/06/2015 00:00

Zhvillohet mbrëmjen e sotme finalja e edicionit të tetë të Big Brother. Njëri prej gjashtë finalistëve do të jetë fituesi i lojës dhe i çmimit 100-milionësh.

Në ditën e 100-të të kësaj aventure ia doli Alba, 24-vjeçarja nga Tirana. Energjike dhe me humor, ajo e nisi lojën në çift me Diedonin, për t’u dashuruar më pas me të, duke u kthyer kështu në çiftin e parë zyrtar brenda mureve të shtëpisë. Shpesh me zë të lartë e në qendër të debateve, Alba rezultoi gjithsesi luftarake në lojën e saj.

Fatjoni, 26-vjeçari që nisi një lojë të qetë e me një vel romantik, lidhja me Xhensilën, por që u shndërrua në sulmues të fortë, duke shkaktuar debate me të gjithë banorët. Ashpërsia e tij dhe thyerja e rregullave të lojës e kanë çuar disa herë në prag eliminimi.

Fabjani, 31-vjeçari që jeton në Siçili. Daja, siç e thërrasin banorët, fillimisht kishte sjellje të njëjtë me partnerin e tij, por pas shpërbërjes së lojës dyshe, zgjodhi një lojë të qetë, duke evituar debatet e duke nxjerrë në pah mirësi e humor.

Eleonora, 42-vjeçarja nga Fieri me look trasgresiv, por me këmbë në tokë. Inteligjente e me ide të qarta, ajo ka preferuar të luajë e vetme që në fillim, edhe kur ishte në çift me Marinën.

Xhensila, 26-vjeçarja nga Pogradeci, miss bukurie me sjellje fisnike e te edukuar, ka preferuar t’u qëndrojë larg debateve, por ka shkaktuar një të tillë mes Fatjonit dhe Veselit, pas puthjes me këtë të fundit.

E për të mbetur tek Veseli, 23-vjeçari nga Prizreni. Ai u përshtat mirë me banorët edhe pse hyri më vonë në lojë. Pasi i kishte parë nga jashtë ata, vëmendja e tij kishte rënë tek Tea, me të cilën u krijuan situata romantike, por dhe me humor, në atë që u quajt si telenovela e tyre. I dashur, i qeshur dhe tolerant, ai u ka rezistuar me edukatë sulmeve të forta.

Cili do të jetë fituesi mes tyre? Vendimi i mbetet publikut.

Top Channel