Nën hetim, kreu i Bashkisë së Vorës. Policia: Dha para për të blerë vota

13/06/2015 00:00

Policia e Tiranës njoftoi se ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Fiqiri Ismailit, kryetar i Bashkisë së Vorës, njëkohësisht kandidat i Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore.

Policia deklaron se Ismaili po hetohet për veprën dhënie premtimi dhe shpërblimi pasi në zyrën e firmës “Agroblend” ka kërkuar votën e dy qytetarëve në zgjedhjet e 21 qershorit, duke i paguar ata me nga 10 mijë lekë.

Sipas veprimeve paraprake të policisë, dy qytetarët, që të dy banues në Vorë, me inicialet B.S. dhe Sh.B. kanë kallëzuar menjëherë në polici duke treguar se ishin thirrur nga një person i tretë, i cili u ka komunikuar atyre se “i kërkonte kryetari”.

Burimet e policisë shpjegojnë se kryetari i bashkisë është thirrur për të dhënë shpjegimet e tij pranë krimit ekonomik, por nuk ka pranuar. Në këto kushte, dosja i ka kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Reagimi i policisë vjen pas apeleve publike të bëra më herët nga Presidenti i Republikës për të mos shitur e votën, por edhe nga ambasada amerikane, e cila gjithashtu u është drejtuar shqiptarëve me thirrje publike për të marrë pjesë në votime, për të mos shitur votën dhe për të mos votuar kandidatët e inkriminuar.

Ky është rasti i parë që hapen hetime ndaj një kandidati për blerjen e votës. Pas hapjes së hetimeve, kanë reaguar dy partitë, LSI dhe PD.

Top Channel