Skandali me rimbursimet, Milva Ikonomi në vend të Astrit Becit

13/06/2015 00:00

Pas dorëheqjes së drejtorit Astrit Beci, në krye të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është komanduar përkohësisht Milva Ikonomi, e cila deri më tani ka mbajtur postin e zv.ministres së Shëndetësisë.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. “Që nga dje, Këshilli Administrativ i Fondit ka komanduar Milva Ikonomin, derisa të bëhen procedurat për caktimin e drejtuesit të ardhshëm”, ka deklaruar Beqaj.

Beqaj u prononcua gjatë inaugurimit të rezonancës magnetike në Spitalin e Traumës, i cili ndonëse përballon fluksin më të madh të pacientëve, si ata të lënduar në aksidente rrugore, plagosjet me armë apo shpërthime, nuk ka pasur një aparaturë të tillë, duke detyruar pacientët e dëmtuar t’i drejtoheshin për ekzaminim të tillë shërbimit të neurologjisë në QSUT, e për t’u kthyer sërish.

“Spitali i Traumës jo vetëm që nuk kishte rezonancë, por në 2013 kur erdhëm ne s’ka pasur as skaner. Rezonanca është një mjet shumë i rëndësishëm si për kirurgjinë, dhe për ortopedinë dhe jo vetëm që do zgjidhim problemet, por do të ulim radhët në spitalet e tjera”, deklaroi drejtori i spitalit, Gjovalin Bushi.

Ministri Beqaj theksoi se mjekëve të zotë që ka Spitali i Traumës, apo ish-Spitali Ushtarak që njihet, po u vihet në dispozicion infrastruktura e munguar deri më tani.

“Praktikisht, në këto 20 muaj ne këmi investuar në këtë spital 1.6 milionë dollarë, duke riparuar skanerin e hershëm, duke instaluar një tjetër të ri para 10 muajsh dhe tani rezonancën. Gjithashtu kemi zgjeruar bazën laboratorike dhe besoj që sezoni që fillon, me rezonancën këtu, ekzaminimi do të jetë më i plotë, më i shpejtë dhe pacientët nuk do të lëvizin nga njëri spital tek tjetri”, deklaroi më tej Beqaj.

Përveç rasteve urgjente, rezonanca magnetike e instaluar prane Spitalit të Traumës do të reduktojë dhe radhët e pacientëve që presin për të kryer këtë ekzaminim në shërbimin e neurologjisë në QSUT.

Top Channel